Kryetari i bashkisë Vlorë Ermal Dredha uron 29 Nëntorin: Gëzuar 79-vjetorin e Çlirimit, Sot gjunjëzohemi me nderim të thellë ndaj Çlirimtarëve të Atdheut!
Motra e vëllezër, sot, përkujtojmë 29 Nëntorin!
Sot gjunjëzohemi me nderim të thellë ndaj Çlirimtarëve të Atdheut!
Po çfarë na kthen te 29 Nëntori, si në një faltore së cilës i besojmë shpirtin? Çfarë e mban gjallë këtë datë?
Arsyeja është gdhendur në mermerin e çdo pllake në Varrezat e Dëshmorëve: viti i rënies është shumë pranë datëlindjes së tyre!
Janë të gjithë të rinj, shumë të rinj – dhe ashtu, shkuan në Luftë me gjallërinë e moshës, me krenarinë e lënduar nga çizmja e huaj, me besimin e kristaltë se do ta fitonin betejën e tyre dhe me fisnikërinë e bindjes së padyshimtë se Shqipëria e meritonte këtë.
29 Nëntori është Festë e Rinisë, triumf i humanizmit e i vëllazërimit të të rinjve, festë e të rinjve që i kushtohen një ideali
29 Nëntori kurorëzon Lavdinë e historisë sonë të vjetër e të re!
Asgjë nuk e ka fuqinë t”i bëjë hije, dritës së kësaj date, këtij pragu historik të shenjuar me gjak vajzash e djemsh në lule të rinisë, burrash e grash, që i ngritën kokën njëherë e mirë,ë Shqipërisë!
Rroftë Dita e Çlirimit!
Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të Luftës Nacional-Çlirimtare! Rroftë Shqipëria!