Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës këtë të hene.Lulzim Basha është paraqitur në prokurorinë e Tiranës për të dhënë dëshminë e tij lidhur me kontratat e lobimit në SHBA.
E ndërsa ditën e enjte refuzoi që të ngjiste shkallët e prokurorisë së Tiranës duke akuzuar përmes një letre se arsyet e fletë thirrjes ishin politike, sot Basha ka vendosur që të shkojë për t’u përgjigjur para prokurorit të dosjes hetimore Gjergji Tako. Së bashku me Bashën janë thirrur edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi.
Nevoja për të pyetur për të dytën herë këta katër zyrtarë lindi pasi prokuroria e Tiranës u njoh me prova dhe fakte të reja që kanë mbërritur në adresë të saj, nëpërmjet dy letërporosive nga SHBA dhe Skocia.
Këto dy letërporosi që për hir të së vërtetës mbahen shumë sekret nga prokuroria, japin një tablo të plotë të transfertave bankare dhe lidhjen e kontratave të lobimit që PD ka bërë me kompanitë amerikane dhe skoceze, që në fakt pronarët e tyre janë shtetas rusë.
Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD.
Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave.
Gjithashtu, mbetet e paqartë se cila është marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë “Biniatta Trade LP,” e cila është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë- nje shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale. Përveç dy kontratave të lidhura me “Stonington Strategies,” gjatë të njëjtës periudhë PD ka lidhur edhe një kontratë me kompaninë lobiste “Barnes and Thornburg LLP” në fillim të prillit me vlerë 150 mijë USD.
Në total,shpenzimet e Partisë Demokratike për lobistët në Uashington për periudhën mars- qershor kapin vlerën e 825 mijë USD- më e lartë se të ardhurat totale që Partia Demokratike deklaroi në KQZ.