Kryetarja e re e Këshillit të Qarkut Gjirokastër do të jetë Lindita Rova.
Ajo është zgjedhur në këtë post me shumicë votash duke qenë edhe kandidatja e vetme e propozuar në mbledhjen e parë të Këshillit të Qarkut. Anëtarët ranë dakord që votimi të ishte i hapur.
Njëra prej kandidatëve të përfolura për kryetare e Këshillit të Qarkut Gjirokastër Matilda Sala, ishte tërhequr nga funksionet politike që mbante në PS-në e Tepelenës. Burimë për Faxweb bëjnë të ditur se Sala ka qenë këshilltare në Partinë Socialiste dhe kordinatore.
Sala një emër me peshë intelektuale dhe stature politike në Tepelenë dhe jo vetëm, u tërhoq nga posti i këshilltares në Këshillin e Qarkut të Gjirokastrës si dhe nga posti i këshilltarës bashkiake të Tepelenës pak orë para konstituimit të këtij organi të nivelit të dytë vendor.
Vendimi i Salës ka ardhur si përgjigje direkte ndaj Bledi Çuçit kryesuesit të listës së deputetëve të PS në Qarkun e Gjirokastrës.
Ky i fundit vendosi për të propozuar në mbledhjen konstituese të Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës si kandidature të vetme dhe konsensuale për postin e drejtueses së Këshillit të Qarkut, emrin e Lindita Rovës prej 6 vitesh drejtuese e DAR Gjirokastër.
Veprimi i Çuçit ngjalli debat të ashpër mes tij dhe kryebashkiakut të Tepelenës Tërmet Peçi i cili ishte përkrahës i hapur i Salës për të qenë ajo kryetare e Këshillit të Qarkut Gjirokastër.
Për Matilda Salën, ky është zhgënjimi i tretë që pëson nga Rilindja, pasi të parin e mori nga shmangia e saj për të qenë deputete pas dorëzimit të mandatit të Flamur Golemit tre muaj me parë, zhgënjimi i dytë ishte refuzimi nga Rama për të qenë kandidate për kryetare Bashkie të Tepelenës dhe i treti kjo që ndodhi.