Kthehet nga Greqia, zbulon se ish-anëtari i këshillit bashkiak i ka zaptuar pronën

TIRANË- Në redaksinë e emisionit Stop në Tv Klan ka mbërritur një ankesë nga një qytetar i Piqerasit në Himarë, i cili ka një problem pronësi dhe i kanë zaptuar tokën. Është fjala për qytetarin Petrit Lulo, i cili pasi u kthye nga Greqia zbuloi se toka e tij është zënë dhe rrethuar me gardh e derë nga komshiu i tij. Petrit Lulo, sipas dokumenteve, është pronar i 300 metra truall shtëpie dhe zotëron gjithashtu edhe 2 mijë metër katrorë tokë bujqësore.

Petrit Lulo ka marrë një përgjigje nga njësia Lukovë për të rrethuar pronen e tij me tel grabion, por nuk e lejon specialisti i policisë së zonës, Fatos Çela, ta bëjë këtë. Zaptuesi i pronës së qytetarit është Eduard Veliu, i cili ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak dhe së fundmi punon në IKMT-në e Bashkisë së Himarës.

“Jam nga Përmeti me origjinë, kam para ’90 këtu në Piqeras, kemi punuar në fermë, u trajtuam me tokë këtu. Kam patur shtëpinë këtu. Është 300 metra truall dhe 2 mijë metër tokë bujqësore. Për këtë tokë disponoj aktin e marrjes së tokës në pronësi. Ra shtëpia, u rrëzua vendi, zoti Eduard Veliu bëri rrugën këtu. Më kanë thënë që ka 2 muaj që filluar te IKMT në Bashkinë e Himarës. Kur e ka bërë këtë ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak. Ky e gjeti bosh këtu meqë ne ishim në Greqi, futi rrugën, e rregulloi me mik unë nuk e di. Shkova në bashki, mora leje për të rrethuar. E rrethova pjesën përpara edhe erdhi zotëria prapë ma prishi. U ankuam te policia e Himarës, vjen inspektori i zonës Fatos Çela dhe thotë pezullohen punimet për 48 orë për arsye dokumentesh”, thotë denoncuesi Petrit Lulo.

Pas mbërritjes së emisionit Stop, denoncuesi thotë se policia e lejoi sërish të bënte rrethimin e pronës, por ia pezulloi sërish.

“Sapo erdhi emisioni Stop, në atë kohë më merr polici i zonës dhe më thotë vazhdoni punimet. Pastaj ndryshoi mendim, tha pezulloni punimet”, tregon ai.

Gazetarja e Stop, Odeta Gjevori, u përball në terren me policin Fatos Çela dhe me një polic bashkiak të cilët kërkonin pezullimin e rrethimit të pronës së Petrit Lulos.

Ndërsa zaptuesin e tokës, Eduard Veliu, i cili prej 6 vitesh ka ndërhyrë në tokën e Lulos, nuk e kanë ndaluar dhe as nuk i shembin derën dhe rrethimin që ka bërë në pronën e tjetrit.

Loading...