E dua si mallin e shpirtit – @Lefter Cipa
(Baladë) Pjesa e 1 dhe e 2 nga 7.
Ku fryn erë, ku bie borë,
në shteg të maleve të larta,
Tek porta e borës në Vanovë,
Bëj të plakem e dot s’u plaka.
I lodhur nga meraku i penës,
Shikoj ëndërra të rimtosura,
Po dhe pranvera e verës,
Vjen e shkon si e fjalosur.
Përmbi supe më digjen yjet,
Nëpër to digjem dhe unë,
Të shkoqur mbi shpirt më bien,
Shpirtshkoqur i puth në buzë.
Një rënkim zëmre, i papritur,
Nëpër gjak, poshtë e përpjetë
Bukurinë ç’ma ka gremisur,
Ndaj s’jam më ai që qeshë.
Se dirigjimi përmbi gjunjë,
Ninullon me gjuhën e shkurtër.
Duke hapë mallin tërkuzë,
ai derdhet përmbi kurpër.
Nëpër kurpër bletëza zogë,
Përplas krahët e fildishta,
Bëj t’i flas, po nuk kam gojë,
kam ca vjet që më dhëmb gryka.
Ndaj stëralli më duket shtuf,
inati ma gremis durimin.
Po kur e shkrep, ka çikat prush,
prushi më shëron lëndimin.
Po malli im, mall i munduar,
do të dijë gjithëçka për Bregun,
Se koha me kaq zi peshuar,
jastëk për kokë më vë merakun.
Ashtu siç jam, me shpirt të nxirë,
Marr e vesh veten alla frënga.
Dhe nis shkruaj për dashurinë,
Kur mëngjesit i them mirëmbrëma!
Ka kohë që i kam vjelur rrushtë,
Rakinë dhe verën i kam pirë.
Po dhe cigaren time murge,
Me këmbë tutje s’e kam shtyrë.
Ndaj dëshpërimi i mëngjeseve,
Përmbi majat e Vetëtimës,
Lisave të lartë u than gjethet,
nga vajtimet e blegërimës.
Nëpër verbimet e Hënës,
Përtej maleve dhe deteve,
E humbas ëndjen e ëndrrës,
nga syri i Diellit kthehem.
Shpesh pyes, shpresën e dimrit,
për beharet e duruar.
Mos vërtet kënga e Pilurit,
Vetveten ka varfëruar?!.
Plakem, kërrusem, i pa krehur,
S’më kreh dot tymi i eshkës.
Si eshka në grusht i mbledhur,
Këputem si fletë e vjeshtës.
Flas, po më ka humbur zëri,
Ashtu si dheut në përcëllim.
Se përcëllim është bërë vendi,
Si hije e zezë në manastir.
Ndaj pres të fryjë veriu i sertë,
Përsipër rapit të erërave.
Ku çdo erë grindet si njerkë
Se njekat janë të qejfeve.
Nëpër qejfet e mjegullimit,
Më flet një folje e vetë natës,
Për të sotmen e pikëllimit,
Më zërin e vakët të mërgatës.