KUÇI – FSHATI I KUVENDEVE KOMBËTARE DHE I HISTORISË SË LAVDISHME
Një udhëtim i gjatë dhe i mundimshëm, në një rrugë të ngushtë e të stërvjetruar luginës së Lumit të Vlorës, mbaron në Kuç të Kurveleshit të Poshtëm, zonë e thellë e Labërisë.
Kuçi shtrihet në shpatijet e malit të Shkabës dhe afër burimit të Lumit të Vlorës, rreth 60 kilometra nga Vlora, po aq nga Saranda dhe vetëm 15 km nga bregu i Detit Jon.
Kuçi, ky fshat i madh malor, me sipërfaqe prej 180 km katrorë, 600 metra mbi nivelin e detit, ka natyrë të paprekur e shumë të bukur. Është i pasur me bimësi mjekësore, ku dallohet sherebeli i egër.
Ka rreth 160 burime ujore, është fshati më i pasur me ujëra në Shqipëri, në mesin e të cilave dallohet Buronjat e Kuçit me rrapet shekullore, si pikë e njohur hoteliere e turistike.
Dikur fshati ishte i madh, pos nga sipërfaqja, edhe me numrin e banorëve që jetonin në të. Në vitin 1913 kishte 500 shtëpi me 1848 banorë, në vitin 1980 gjithashtu rreth 500 shtëpi me 2800 banorë, kurse sot ka vetëm 150 shtëpi me 1200 banorë.
Shpërnguljet e mëdha të popullsisë në qytete të vendit dhe jashtë vendit këto 30 vitet e fundit, si kudo tjetër në fshatrat e thella malore, kanë bërë që zona dhe fshatra të tëra të mbesin pa banorë ose me shumë pak banorë.
Në Kuç, bujaria, krenaria dhe mikpritja janë të ngritura në kult. Kur mysafirët shtrohen në tryezë, aty nuk mungon rakia, dollia dhe kënga. Dhe atëherë bashkohen, si në një, rakia, dollia e kënga. Kënga polifonike labe fillon qetë – qetë e ngritet madhështore dhe epike, sikundër janë malet rreth e përreth.
Kuçin e ka vizituar Enver Hoxha, pastaj presidentët Rexhep Meidani e Bamir Topi, Akademik Rexhep Qosja e shumë personalitete tjera kombëtare.
Nëpër Grykën e Shurit të Kuçit, e gjatë 5 km. ka kaluar poeti i madh i Rilindjes, Çajupi, i cili ka shkruar poezinë e famshme për Labërinë, mes tjerash edhe vargjet:
Gryk e Kuçit kush ka shkuar
Dhe gjaku si ka qëndruar?
Udhëtari nga të vejë?
Mal këtejë, mal andejë,
Ndë mes një lum i habitur
Vërtitet duke buxhitur,
Lisa të gjër’e të gjatë
E bëjnë ditënë natë!
Fshati Kuç ka një histori të pasur dhe të lavdishme. Çeta e Kuçit priti e shoqëroi Ismail Qemalin gjatë shpalljes së pavarësisë në Vlorë. Veçanërisht, janë të njohura luftërat e kuçiotëve kundër pushtuesve grekë dhe atyre italianë.
Nga vitet 1912 – 1914, në luftërat kundër grekëve kanë rënë dëshmorë 14 kuçiotë dhe janë plagosur 15 të tjerë. Në vitin 1914 grekët dogjën 300 shtëpi në Kuç.
Në luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë, në vitin 1920, katër çeta me mbi 200 luftëtarë nga Kuçi, pasi çliruan fshatin e tyre, luftuan edhe në Gjorm, në Vlorë e Tepelenë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Kuçi dha kontribut të madh në luftë për çlirimin e vendit. Fshati u çlirua nga pushtuesit më 25 qershor 1944, duke lënë në fushëbeteja 92 dëshmorë. Armiqtë masakruan edhe 34 persona civilë, burgosën 58 dhe internuan në kampet e shfarosjes tetë kuçiotë.
Nga Unioni Botëror i Paqes në Bolonjë, në vitin 1999, Kuçi u shpall “Fshat martir”.
Nga shumë heronjë, dëshmorë e personalitete historike të merituara, kuçiotët krenohen veçmas me heroin e tyre, Zenel Gjolekën.
Gjoleka kishte vrarë, në vitin 1830, një zyrtar të lartë turk (kafkanazin) në Manastir, për hakmarrje për gjyshin e Ismail Qemalit.
Në vitin 1847 Gjoleka, në krye të 200 kuçjotëve, i përzuri taksambledhësit dhe forcat e shumta xhandarësh, që kishin shkuar për taksën dhe për regjistrimin e rekrutëve.
Ky aksion ishte fillimi i kryengritjes popullore, e quajtur si Kryengritja e Tanzimatit, të cilës i priu Gjoleka.
U vra pabesisht, duke i mbrojtur trojet shqiptare nga malazezët në Malin e Zi. Në qendër të fshatit Kuç është ngritur përmendorja impozante e Heroit Zenel Gjoleka. Presidenti Rexhep Meidani i dha dekoratën e lartë – urdhrin “Shqiponja e Artë”, kurse Presidenti Bamir Topi i dha urdhrin “Nderi i Kombit”.
Kuçi njihet sidomos për mbajtjen e kuvendeve lokale dhe kombëtare. Që nga viti 1712, kur është organizuar një kuvend ballkanik kundër Perandorisë Otomane e deri në vitin 1961, kur është mbajtur një kuvend për mundësitë e prodhimit të bukës në vend, në Kuç janë mbajtur rreth 20 kuvende me rëndësi të madhe. Më i rëndësishmi është Kuvendi Zakonor i Labërisë, i mbajtur në Kuç nga 28 nëntori – 4 dhjetori 1924.
Në këtë Kuvend morën pjesë 312 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare, duke përfshirë edhe Kosovën e Çamërinë.
Për të marrë pjesë në këtë Kuvend ishin nisur të shkojnë edhe Fan Noli e Bajram Curri, por, pasi ishin njoftuar se për në Kuç po shkonin trupat qeveritare, ishin ndalur në Vlorë.
Nga Vlora Noli i dërgoi letër Kuvendit, ku, ndër të tjera, theksonte: – Kur lëngon Shqipëria, e nxjerrë nga mundimi Labëria. Kuvendi diskutoi për ndërtimin dhe përhapjen e shkollave shqipe dhe mori vendime të rëndësishme për ndalimin e gjakmarrjes, për ndalimin e martesave të fëmijëve, për lehtësimin e pozitës së gruas në shoqëri etj.
Pas çlirimit të vendit Kuçi kishte pas një zhvillim të hovshëm ekonomik, kulturor, arsimor, etj.
Ishte ndërtuar shtëpia e kulturës, muzeu i fshatit, ambulanca, shkolla e mesme bujqësore, një hidrocentral i vogël, grupe kulturore, skuadër futbolli, etj.
Pas tranzicionit Kuçi u la në fatin e vet!
Në fushën ekonomike u dëmtuan apo u shkatërruan objektet bujqësore e blegtorale, bletaria, pemtaria, si dhe objektet shoqërore e kulturore: Shtëpia e kulturës, muzeu, ambulanta.
Për mungesë të perspektivës jetësore dhe të kushteve elementare për jetesë filloi shpërngulja e madhe e popullsisë në qytete dhe emigrimi me përmasa shqetësuese jashtë shtetit.
Largësia nga qendrat e mëdha urbane dhe lidhjet e dobëta rrugore të deritashme kanë ndikuar edhe në mirëqenien e popullsisë së mbetur.
Mirëpo, para pak kohe ka filluar ndërtimi i rrugës së re me standarde të larta, e cila do t’i lidhë fshatrat e Lumit të Vlorës, përfshirë edhe Kuçin, me Vlorën, Himarën dhe tërë vendin. Me ndërtimin e rrugës do të mundësohet zhvillimi ekonomik e shoqëror dhe do të krijohet perspektivë për mbijetesë në këtë fshat e në këtë zonë të bukur shqiptare.
Sepse fshati dhe zona kanë potenciale të mjaftueshme për jetesë dhe zhvillim të hovshëm, sidomos për zhvillimin e turizmit fshatar e malor.Nga Kuci yne.