‘Kufizoni në maksimum shpejtësinë’, policia thirrje shoferëve: Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve pa zinxhir

Policia e Shtetit ka bërë një njoftim zyrtar në lidhje me situatën e krijuar për shkak të motit.

Përmes njoftimit u ka bërë thirrje shoferëve të autimjeteve që të vendosin gomat e dimrit.

Po ashtu nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve pa zinxhir. Shpejtësia e makinave duhet të kufizohet në maksimum, për të shmangur aksidentet, apo daljen nga rruga.

Njoftimi i plotë:

Nisur nga situata e krijuar për shkak të motit të keq, me prezencë të akullit, borës dhe ujit në të gjitha akset rrugore nacionale dhe rurale në të gjithë vendin, Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës:

Të kufizojnë lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin këshillat dhe udhëzimet e Policisë rrugore dhe të autoriteteve të tjera.

Të vendosin gomat e dimrit në automjetet e tyre.
Të vendosin zinxhirët para se të fillojnë lëvizjen me automjet, pasi punonjësit e Policisë nuk do të lejojnë qarkullim e automjeteve pa zinxhir.

Të vendosin rripin e sigurimit.

Të mos kryejnë parakalime të gabuara.

Të kufizojnë në maksimum shpejtësinë, pasi në të gjitha akset rrugore ka prezencë të akullit dhe të borës, gjë që rrit rrezikun e përfshirjes në aksidente rrugore.

Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të përforcuar, duke rritur prezencën e shërbimeve policore në akset rrugore nacionale, në qytete dhe në qendrat e njësive administrative, me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë qyetarëve në nevojë.

Strukturat e Policisë së Shtetit janë duke operuar në terren, në koordinim e bashkëpunim me autoritetet e tjera përgjegjëse, për normalizimin e situatës së krijuar si pasojë e motit të keq.

Për çdo problem apo informacion mund të telefononi në numrin pa pagesë 112 ose shkruani në Komisariatin Dixhital, duke iu siguruar reagim të menjëhershëm

Loading...