Agjencitë ligjzbatuese nga 27 vende, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, morën pjesë në një operacion të koordinuar nga Europol për të mbyllur faqet e internetit që shesin mallra të falsifikuara ose që janë të përfshira në piraterinë në internet.
Operacioni që u zhvillua nga 1 maji deri më 14 nëntor synonte goditjen e faqeve të internetit që kanë një sërë përmbajtjesh të paligjshme. Operacioni u shtri në këto 27 shtete:
Shqipëria, Belgjika, Bullgaria, Brazili, Kolumbia, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjeorgjia, Greqia, Hungaria, Irlanda, Italia, Kosova**, Lituania, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Portugalia, Rumania, Sllovenia , Spanjë, Zvicër, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara.
Europol goditje të fuqishme deri në Shqipëri/ Kujdes kur blini
Agjencitë e zbatimit të ligjit kanë mbyllur 12 526 faqe interneti, dhe 15 dyqane online që shesin produkte të falsifikuara në faqet e mediave sociale.
Hetuesit sekuestruan 127 365 produkte të falsifikuara si rroba, ora, këpucë, aksesorë, parfume, pajisje elektronike dhe telefona me vlerë më shumë se 3.8 milionë euro.
Kriminelët jetojnë një mënyrë jetese luksoze
Gjatë operacionit, u lëshuan 10 urdhra kontrolli dhe 14 persona u ndaluan ose u akuzuan zyrtarisht për krime të pronësisë intelektuale.
Në një aksion specifik, Policia spanjolle arrestoi katër persona. Sipas rezultateve paraprake të hetimeve, i dyshuari kryesor në këtë hetim fitonte deri në 150 mijë euro në muaj dhe jetonte një jetë luksoze, me shtëpi e makina të shtrenjta, si dhe reklamonte pushimet që bënte në të gjithë botën.
Rrjeti kriminal ishte i përkushtuar ndaj marketingut në shkallë të gjerë dhe shpërndarjes së përmbajtjes audio-vizuale pirate në internet.
Si pjesë e operacionit, policia spanjolle sekuestroi para, dokumente dhe dy automjete luksoze.
Njësia Bullgare e Krimit Kibernetik hetoi një rrjet kriminal që përdorte llogaritë dhe faqet e internetit të Facebook për të shitur rroba që ishin imitim i markave të njohura.
Në një aksion të koordinuar u kryen një sërë kontrollesh në shtëpi dhe u zbulua një punishte me makina qepëse dhe relievitëse.
Autoritetet sekuestruan etiketa të markave të njohura, artikuj pa markë, gati për t’u përpunuar, 600 artikuj të falsifikuar me vlerë 35 000 euro dhe një armë zjarri të paligjshme.
Këto zbulime tregojnë edhe një herë se prodhimi i produkteve të falsifikuara bëhet gjithnjë e më shumë brenda Bashkimit Evropian.
Konsumatorët të jenë të kujdesshëm kur blejnë online
Rezultatet e këtij operacioni shërbejnë si një alarm për qytetarët të të jenë tepër të kujdesshëm kur bëjnë blerje në internet për të shmangur blerjen e produkteve të falsifikuara përmes platformave të paligjshme.
Jo vetëm që produkte të tilla të paligjshme mund të paraqesin rreziqe serioze për shëndetin dhe sigurinë për konsumatorët, por të ardhurat mund t’u shërbejnë gjithashtu rrjeteve kriminale të përfshira në forma të tjera krimi.