KUNJOVA, VENDBANIMI MË I HERSHËM I KALLARATIT.
Kunjova, vend që gjendet në Perendim të vargmalit të Çipinit, midis malit të Pleshovicës dhe Çipinit të Bolenës, në rrjedhjen e sipërme të përroit të Pajamehut, në pyllin e Pllajës së Lugjeve, në lartësinë 500-1000 m.
Sot një lagje e Kuçit, dikur Kunjova, ka qenë vendbanimi më i hershëm i Kallaratit, para se banorët e tij të zhvendoseshin në anën tjetër të lumit të Shushicës, në rrëzën e Pelingrisë.
Ky vendbanim u themelua nga njëri prej fiseve që në kohë të hershme zbritën prej pllajës së Kurveleshit të Sipërm, në kërkim të hapësirave të reja për jetesë.
Dëshmi e kësaj janë toponimet, si Qafa e Kallarate, Gropa e Gjokone (fis i Kallaratit) etj., por edhe një këngë popullore, vargjet e së cilës thonë:
“Kallarati për karshi,
në Kunjov’e për veri”.
Duke qenë i shtrirë rrëzë maleve dhe midis kodrash me lartësi 500-1000 m, të mbuluara me pyje, Kunjova ofronte kushte të përshtatshme për mbarështimin e bagëtive të imta, por edhe për bujqësi, në rrjedhjen e mesme të përroit të Pajamahut.
Banorët e fshatit furnizoheshin me ujë nga burimi i Majës së Lugjeve, që jep 250 litra ujë në orë.Sipas të dhënave të më të moshuarve, Kunjova ka qenë fshat i madh dhe me shumë kisha e xhami.
Ai u braktis për shkak të epidemisë së kolerës ku, vetëm gjatë një nate, vdiqën qindra veta.
Për t’i shpëtuar epidemisë, një pjesë e banorëve e braktisën fshatin dhe u vendosën në Rrëzën e Pelingrisë (fshati i djegur i Kallaratit), kurse një pjesë u shpërngulën në Piqerras, Sasaj, Lukovë e Shën Vasil apo edhe në fshatra të brendshme e të Labërisë.
Zhvendosja mendohet të ketë ndodhur pas pushtimit turk, kur kishte filluar myslimanizimi i Labërisë, pas gjithë gjasash midis shek. XVII–XVIII, kur dëshmohen edhe dy epidemi kolere, njëra rreth vitit 1660 dhe tjetra në vitin 1720. (R. M.)
Marrë nga libri “Enciklopedia e Kurveleshit”, shkruar nga Prof. Dr. Rami Memushaj.