“Kur të vdes përcillmëni me një këngë labe” – Shprehja e korifenjve të shqiptarizmës për labërishten, në mugëtirën e moshës

Loti i turistes njujorkeze për polifoninë shqiptare

– Polifonia që mësohet në Akademinë Labe- Prof. Asoc. Zaho GOLEMI, Nexhip ONJEA

Kishin ardhur për eksplorimin e turizmit shqiptar. Gjigantë mediatikë botërorë bashkë me operatorë të botës turistike kishin zbarkuar për herë të parë në hapësirën shqiptare këtej e matanë kufijve administrativë: National Geografic, Yahoo Travel, Outside Magazine, Adventure Travel News etj. Ishin mbi 30 operatorë turistikë në kërkim të aventurës shqiptare. Një traditë e re, një koncept i ri, një aventurë e re turistike në gjithë hapësirën shqiptare. Në qindra e qindra vlera të Shqipërisë në kërkim të “aventurës një javore shqiptare” do të gjenin një thesar margaritarësh siç është kënga polifonike. Dhe kjo ndodhi në Gjirokastrën e gurtë ku travel writer (shkrimtarë udhëtimesh) e gazetarë me reputacion nga SHBA, Kanada, Zvicër, Suedi etj., nëpërmjet Adventure Travel Trade Association (ATTC) gjurmuan vlerat më të mira të shqiptarëve dhe padyshim polifoninë.

Kënga polifonike është prekëse dhe emocionuese, fenomenale dhe gjithëpërfshirëse. Të këndosh labërishten duhet të kesh kryer “Akademinë labe”, të kesh jetuar me lebërit sepse marrësi, kthyesi, hedhësi, pritësi janë specialist të rritur me “përkëdheli” brenda lebërve. Mësova një detaj që meriton të ndahet mes miqsh e dashamirës të polifonisë por edhe më gjerë. Në kohën kur grupi mediatik prej shumë gazetarësh ndiqnin polifoninë e grupit “Argjiro”, zonjushën Olivia Balsinger të Agjensisë turistike amerikane “Arengement Abroad”, e “gozhdoi” mrekullia e këngës polifonike gjirokastrite, ku shumëzërëshi shqiptar e pushtoi emocionalisht dhe ajo filloi të lotonte… Në fakt na pëlqeu loti emocionues i turistes njujorkeze. Kjo sepse polifonia bën përshtypje të jashtëzakonshme, prek “telat” e zemrës, me këngët mahnitëse për dashurinë, trimëritë, tragjeditë, gëzimin, jetën dhe shpresën. Polifonia ka aftësinë adrenalizuese apo siç shprehej një ushtarak “të hedhë në sulm një batalion”. Shumë korifenj të shqiptarizmës në mugëtirën e moshës janë shprehur për labërishten: “kur të vdes përcillmëni me një këngë labe”. Në fakt në Vlorë, Himarë, Sarandë, Ksamil, Gjirokastër, Tepelenë e më gjerë të shoqëron polifonia dy e më shumë zërëshe. Kulmin e arrin polifonia shtatëzërëshe e Lefter Çipës në Pilur, këtij bardi popullor më i madhi ndër të gjallët me hove pasionante të ligjërimit, me vargje të larë në burime të kristalta dëbore të honeve të maleve të Vetëtimave, por edhe të zjarrtë si prushi i yjeve që përvëlohen në valet e bregdetit jonian. Me këngën polifonike me këtë Perëndeshë të madhe me emrin “polifoni” u ndeshën edhe turistët e ajrit, të tokës dhe të detit.

Ata nuk e dinin se këtu do zbulonin edhe këngën-mbretëreshë. Ata zbuluan edhe një pasuri shpirtërore autoktone që quhet Polifoni. Ata këtu mësuan një fakt që se kishin mësuar kurrë në jetë. Një detaj interesant për pasaportën polifonike që ka të gdhendur dukshëm: Vendlidja: “Kaoni”. Dhe kur themi Kaoni nënkuptojmë padyshim gjithë trevën e Labërisë. Polifonia nuk ka lidhje me këngë sirenash, korin antik etj., subjektivizma që nuk kanë ditur të lexojnë Beniamin Krutën, Çesk Zadeja, Spiro Shituni, Fitim Çaushi, Bardhosh Gaçe, Sejmen Gjokoli, Albert Abazi… etj. Pasuria polifonike është unikale e Labërisë e patjetërsueshme, e parezistueshme. Në krijimtarinë popullore të kultivuar artistikisht, polifonia është vendosur në panteon. Nuk është hera e parë që dashamirës të kulturës, vlerësues të artit, simpatizantë dhe deri në tifozë të polifonisë kanë jetuar emocione të fuqishme në festival e takime të folkut ballkanik, europian e më gjerë.

Polifonia ka mbrekulluar dhe ka lënë “pa gojë”, krijues që kur e kanë dëgjuar për herë të parë janë habitur se si mundet që pa asnjë lloj instrumenti të krijohej një art kaq i fuqishëm emocional dhe të transetojë ndjesi të veçantë. Të apasionuar të vlerave polifonike shqiptare kur mësojnë për “kënga nëntëqind vjeçare” të Fitim Çaushit, apo për polifoninë që nuk është mit e legjendë për një vlerë reale dhe e prekshme që jeton e bashkëjeton natyrshëm me modernen dhe artin muzikolog botëror. Dhe të mendosh që kjo nuk ushqehet e mbështetet me fonde buxhetore çuditshëm bota e civilizuar shprehet edhe për shkollë për të ruajtur e trashëguar. Një shkollë më vete polifonie është padyshim princi i polifonisë shqiptare Lefter Çipa, Maliq Lila i pavdekshëm, Feti Brahimi i gatuar vetëm me këngë etj.

Mësimi i parë i polifonisë në Labëri historikisht ka qenë dhe është “merrja një kënge”, “merrja një vëndçe”, “se nuk do ta shesim”. Polifonistët më të shquar të vendit e duan Polifoninë të pastër ashtu sikurse është në të vërtetë, ashtu sikurse e këndon Nazif Çela, Tomor Lelo, Trifon Golemi, Halil Bello, Hosho Onjea, Fatoshi, Bardha, Katina, Monia, Gurua, Teuta, Parimi, Merdani…. ashtu siç e këndonte Neço Muka në Paris dhe siç do ta këndojnë brezat në Labëri e më gjerë brez pas brezi. Polifonistët kërkojnë rrënjë të pastra të stilit muzikor polifonik si structure “të ngushtë” shqiptare jashtë “mendimeve” klerikane e jashtë laboratorëve artificial të përpunuar e fabrikuar. “Shapin nga sheqeri” për këtë problem e ndajnë specialistë si Fitim Çaushi, por dhe stidiues të tjerë. Është vështirë ta gjesh vargun e këngës kaq të thellë e kaq brilant: “Labëri dyzetë kështjella, treqind pala fustanella, mal me këngë e me legjenda, kështjella e mbi bedena, binjake shpata dhe pena, Labëri o gur për shqipe, që zbardhon e shquan larg, t’i kam puthur ato vise, vëndet ku ke marrë plagë, labe moj stoli në stane, rritur me zile çokane, her fustane her tumane, furk e krrab nga dru thane.”

Fakt është që labërishtja ushqen këngën me vargje të mbledhura në muzën e poezisë që kapërcen çdo poet obortar apo bulevardësh: “Mbi Fushëbardhë të gjen behari,qeni para pas manari, natën lahesh me dritë hëne, ditën pi ves na bari, ti kopes i rri në krye, si në kullot e në hije, natën tremb bishën që bie, buzëqesh e loz me yje, bukurinë e ke të Mëmës, dielli ta kërkon hua, me furk tierr dritën e hënës, me kërrab kap ëndrrat e tua, një longar me zemër qan, të kërkon e të do pranë, qengjat zilet dhe këmborët ,të duan nuse në stan”. Por fakt është se në çdo hap e në çdo fshat, por edhe qytete të Labërisë do të gjegj një shpirt të madh artisik, ku kënga dhe polifonia shumëzërëshe zë një vend themelor. Edhe gëzimi, vaji, dasma, tragjedia, triumfi në luftra janë të shoqëruara me vargje prekëse polifonike. Në lotët e turistes njujorkeze si padashur dallojmë edhe atë që “i zoti ta jep, tellalli se shet”, që Polifonia të ngelet e tillë edhe në UNESKO, pa bishtin “iso”, që e ka marrë ose ja kanë dhënë rrugës “me” apo “pa dashur”.

Ky është edhe meraku i polifonistëve më të shquar të vendit që ngjiten në skenat e njohura të polifonisë, si festivali i Gjirokastrës, i Beratit, i Vlorës, i Bylisit etj. Polifonia nuk ka nevojë për lule, sepse vetë është një buqetë në lulëzim të përjetshëm, që ndez shpirtrat dhe në kohët më të trazuara.

Loading...