Për grabitjen që ndodhi të martën në aeroportin e Rinasit vazhdon të mos ketë të arrestuar.
Policia të vetmen pistë ka identitetin e njërit prej grabitësve që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me FNSH-në.
Bëhet fjalë për Admir Murataj, një emër mjaft i njohur për drejtësinë shqiptare, i cili ishte arratisur nga burgu grek i Trikallës në vitin 2013 dhe po ashtu ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare për dy grabitje.
Kush është Admir Murataj dhe grupi i tij:
Admir Murataj autori i cili u vra dje gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë pas grabitjes në Rinas nuk është emër i panjohur për drejtësinë shqiptare.
Ai rezultonte i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare.
Admir Murataj, i cili ishte ende në kërkim për organizimin e dy grabitjeve të bujshme atë në Qafë-Kashar dhe grabitjen e një banke te ‘Stacioni i Trenit’ në Tiranë, ku kanë qenë të përfshirë edhe disa ish-Komando të ushtrisë shqiptare. Murataj është arratisur nga burgu grek i Trikallës në vitin 2013.
Në pretencën e Prokurorisë e cila u dha më 18 janar të këtij viti për bandën e akuzuar për tri grabitje të ndodhura në autostradë gjatë transportimit të parave të bankave nga Tirana në Rinas, u kërkua në total 127 vite burg për 8 të akuzuarit, ndërsa në kërkim rezultonte Murataj.
Në Greqi Murataj është i njohur për arratisjen e tij spektakolare nga burgu bashkë me Ilir Kupën e 9 shqiptarë të tjerë.
Ai u arratis nga burgu i Trikallas në mars 2013, ndërkohë që kishte rënë në pranga bashkë me Klement Çalën, në janar të të njëjtit vit, si pjesëtarë të një bande shqiptaro-greke të akuzuar për 9 grabitje dhe tentativë grabitje bankash, në shumën totale 2 milionë euro.
Pas arratisjes, ai është ndjekur nga Policia, por ka lënë pas një vazhdë gjaku, pasi ka vrarë një vajzë 25 vjeçe në Isthmia dhe një rreshter policie. Po ashtu pas arratisjes, ata akuzohen se kanë grabitur edhe bankën kombëtare në Larisa më 16.05.2013, grabitje e faktuar nga gjurmët e gishtave.
Grabitjet në Shqipëri:
Ngjarja e parë për të cilën akuzohej Murataj dhe grupi i tij, ndodhi në vitin 2015 pranë stacionit të trenit në Tiranë, ku në një bankë të nivelit të dytë u vodhën me armë 900 mijë franga, 800 mijë paund dhe 16 mijë euro.
Ngjarja e dytë, pak muaj më vonë u grabitën rreth 2 mln paund, 800 mijë dollarë dhe sasi të tjera valute u vodhën pranë kthesës së Kasharit.
Ngjarja e tretë për të cilën ndodhi pranë Rinasit gjatë transportimit të parave me makinën e policisë privatë, ku u rrëmbyen në automjet thasët me 2 mln e 400 mijë euro, 200 mijë dollarë dhe valuta të tjera.
Zbulimi i serisë së autorësisë së grabitjeve u bë në shkurt të 2017, ku policia dhe Prokuroria arrestuan anëtarët e bandës, të cilëve iu gjetën edhe një pjesë të shumave të vjedhura.
Kartëmonedhat ishin groposur në tenxhere, por edhe ishin fshehur në mënyrë origjinale në vende të tjera, duke u futur me qese në frigorifer.
Hierarkia brenda bandës së grabitësve:
“Truri” i bandës
Admir (Jetmir) Çerpja
Admir Nikaj (Murataj)
Planifikonin grabitjet, studionin lëvizjet e blindave me para, përcaktonin bankën që do godisnin.
“Grupi i zjarrit”
Ditjon Memlikaj (ish-Komando)
Neim Avdulaj (ish-Komando)
Ernest Kupa
Furnitorë (Në mjete, armë, logjistikë, radio, kamuflazh)
Dy vëllezër nga Tropoja (Nipat e Admir Nikaj ‘Murataj’)
Informator në terren
Fajton Xhyliu