Fiks një muaj më parë në kulmin e fushatës elektorale kur Edi Rama zhvilloi një takim me gra e vajza në Dropull pati edhe një episod më të rëndësishëm sesa edhe vetë takimi. Një vajzë e vogël iu afrua aty pranë dhe krejt e shpenguar nisi të kërcente më të nën ritmin e këngës së fushatës. (Shih videon më poshtë)
Ramës sikur i kishte ardhur në shteg ky rast dhe nuk i ngelej asgjë tjetër veçse ta shfrytëzonte për të kaluar mesazhet që ai donte në një audiencë më të gjerë e gjithashtu për të dhuruar spektakël. Dhe kështu ndodhi. Kërcimi që bëri me vajzën rezulton të jetë video më e shikuar e fushatës në llogarinë e Kryeministrit në rrjetin Tik Tok. Plot 718 mijë shikime ka marrë ajo video e publikuar nga Rama me komentin e shkurtër “kur ta merr dhe kalamoni përpara…”
Viraliteti i kësaj video i rezervoi vajzës një vend të veçantë edhe në dy takime të tjera që Edi Rama zhvilloi në Gjirokastër duke u shndërruar kështu në një lloj simboli të fushatës së socialistëve në këtë bashki. 6-vjeçarja Aleksia Halili nga lagjja “Punëtore” u shfaq pranë Kryeministrit edhe në takimin e madh që u zhvillua në Parkun e Viroit. Teksa folësit ngjiteshin në skenë për të marrë fjalën, vajza ishte pranë kreut të socialistëve. (Shih videon më poshtë)
Episodi i fundit ishte në takimin e një dite më parë për turin e falenderimeve. Gjatë gjithë kohës në skenë Kryeministri ka qenë nën shoqërinë e Aleksias, e cila foli e recitoi një poezi përpara se Edi Rama të merrte fjalën. Edhe në përfundim të takimit Kryeministri zbriti skenën nën shoqërinë e 6-vjeçares. (Shih videon më poshtë)
Vajza s’ka munguar as në takimet elektorale të Flamur Golemit. Ky i fundit ka të publikuara në rrjetet sociale foto me Aleksian. (Foto me poshte)
Përveçse është një fëmijë i talentuar i dy prindërve mësues, për Aleksian nuk dihet asgjë më shumë dhe fundja s’ka arsye të mësojmë diçka më tepër. Për shkak të naivitetit të moshës së vogël as ajo vetë nuk kupton dot më shumë se si pa dashur u shndërrua në simbolin e fushatës së socialistëve në Gjirokastër dhe mori një vëmendje kaq të madhe. Me siguri kur të rritet do të ketë këndvështrimin e saj për gjithçka i ndodhi kaq vrullshëm brenda një muajji nga takimi në Dropull te ai në Gjirokastër. ©argjirolajm.net