Policia e Elbasanit arrestoi mëngjesin e kësaj të shtune shtetasin Gentian Duka, 44-vjeç, të cilit iu sekuestruan në banesë një arsenal armësh.
Mësohet se Duka është inspektor në Drejtorinë e Tatimeve të Bashkisë Elbasan.
Në banesën e tij u gjetën armë zjarri tip kallashnikov, një pushkë sportive me dylbi, rreth 500 copë fishekë luftarak për pistoletë, kallashnikov e mitraloz, një përforcues grushti, një thikë, si dhe 7 karikatorë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kral”, për goditjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo i mbajnë në banesë pa leje.
Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov, një pushkë sportive me dylbi, municion luftarak e sende të tjera të kundraligjshme.
Vihet në pranga një 44 vjeçar.
Në zbatim të planit të masave për kontrollin e personave që mbajnë armë pa leje, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe ndjekjen me metoda proaktive, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Kral” në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
G.D., 44 vjeç, banues në lagjen “Visarion Xhuvani” Elbasan.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së 44 vjeçarit, gjetën e sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, një pushkë sportive me dylbi, rreth 500 copë fishekë luftarak për pistoletë, kallashnikov e mitraloz, një përforcues grushti,një thikë dhe 7 karikatorë.
Provat e mësipërme janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë për t’u ekzaminuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Gjithashtu po vazhdon puna për dokumentimin e mëtejshëm ligjor të kësaj ngjarje dhe të aktivitetit kriminal të këtij shtetasi nëse është i implikuar në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme hetimore Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.