Një person misterioz që është ‘punësuar’ për të shpërqendruar policinë.
Ky është një nga njerëzit që po kërkohet nga policia pas grabitjes së 10 milionë eurove nga një avion në aeroportin e Rinasit, përveç 5 personave që kanë marrë pjesë në grabitje, ku një prej tyre u vra.
Policia ka dyshime se grupi që ka punuar për realizimin e super grabitjes është akoma më i madh.
Makina e djegur në Bathore u përdor si karrem për të shpërqendruar policinë. Kishte karakteristika dhe tip si ajo me të cilën u larguan autorët nga vendi ku u përplasën me armë me policinë, por nuk u përdor ditën e ngjarjes nga autorët, shkruan “Balkanweb.
Makina qëndronte prej 5 ditësh e parkuar në zonën ku u gjet e shkrumbuar. Pas grabitjes ajo u dogj nga një person i veshur me të zeza i pamaskuar që u largua nga vendngjarja me një biçikletë të bardhë. Policia po punon për identifikimin e tij.
Po kështu mësohet se kur grupi i grabitësve ka ndërruar automjetet dhe po bënte transportin e parave, zjarr ndaj policisë ka hapur vetëm Murataj i cili qëndronte në prapavijë për të mbuluar anëtarët e tjerë të grupit me zjarr derisa të transportoheshin paratë.
Në furgonin me mbishkrimin “hetimi tatimor” thuhet se policia ka gjetur shumë shenja gishtash dhe gjurmë biologjike të vlefshme për hetimin.
Në bazë të informacioneve policia ka orientuar dyshimet drejt 2 personave për të cilët po kryen verifikime. Një prej tyre është ish-polic i një komisariati në Tiranë me inicialet M. H. por nuk është bërë ende shpallja e tyre në kërkim policor.