Kush është i forti i Vlorës që fundosi shefin e burgut të Peqinit

SPAK ka komunikuar gjatë ditës së sotme arrestimin e ish-shefit të sektorit të ligjeve në burgun e Peqinit, Gani Shehun pasi kishte paraqitur dokumente të rreme për lirimin e “të fortit” të Vlorës Viktor Imeri.

Por kush është Viktor Imeri? Viktor Ymeri ose siç njihet ndryshe në Vlorë, si “Tori i Xhihanes”, la qelinë e burgut të Lushnjës në dhjetor të vitit 2019. Vendimi për lirimin e tij, është dhënë nga gjyqtarja e Elbasanit Enkeleda Kapedani, e cila vendosi të shuajë dënimin e Viktor Ymerit dhe të urdhërojë lirimin e tij.

Ymeri prej vitit 1999 e deri në 2019 qëndronte në burgun e Lushnjes në Elbasan, pasi ishte dënuar me 25 vite burgim për vrasjen në Durrës të Arben Pajës e Ilir Xhungës, dy miqtë e Lulzim Berishës. Për këto dy vrasje Ymeri është dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm, por në tetor të 2018 gjykata e Apelit Durrës, kanë vendosur dënimin e tij me 25 vite burg.

Viktor Ymeri konsiderohej nga policia dhe prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, (Gaxhait) i dënuar me burgim përjetë, pasi së bashku në qershor të vitit 1999, kanë ekzekutuar me dhjetra plumba kallashnikovi Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.

Ai u riarrestua sërish si i dyshuar për atentatin ndaj Vajdin Lamajt, ngjarje për të cilën akuzohet dhe Lulzim Berisha dhe disa personazhe të njohur të botës së krimit.

Njoftimi i SPAK për arrestimin e Shehut:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka në hetim procedimin penal nr.252 të vitit 2020, për veprat penale të parashikuara nga nenet 79/dh, 78, 278, 333/a, 334 etj. të Kodit Penal. Në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet shtetasi V.B(I). Gjatë shqyrtimit të kërkesës së të arrestuarit V.B.(I), me objekt revokim/zëvendësim të masës së sigurimit nga ana e mbrojtjes së të hetuarit, u paraqit si provë një shkresë me lëndë: “Kthim përgjigje” e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Peqin e datës 14.01.2021.

Duke marrë shkas nga përmbajtja e kësaj shkrese, Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kreu hetime të thelluara në drejtim të vërtetësisë së të dhënave të pasqyruara. Pas kryerjes së shumë veprimeve hetimore, u krijua dyshimi i arsyeshëm se, në shkresën e datës 14.01.2021 të nxjerrë nga IEVP, Peqin, paraqiteshin të dhëna të rreme të cilat shkonin në drejtim të lehtësimit të pozitës së të hetuarit V.B.(I).

Gjithashtu, nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit krijohet dyshimi i arsyeshëm se, personi që ka përgatitur këtë shkresë në të cilën janë pasqyruar të dhëna të rreme, është ish – Shefi i Sektorit Ligjor të IEVP – së Peqin, G.Sh.

Në vijim, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.95 datë 10.11.2021 ka caktuar ndaj shtetasit G.Sh. masën e sigurimit: “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.

Kjo masë sigurimi u ekzekutua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në datën 11.11.2021.

Loading...