Policia ka deklaruar se Bajram Hajri, Olsi Turja dhe Elton Hajri janë tre personat të cilët janë arrestuar për pengmarrjen e Jan Prengës te ndodhur 11 dite me pare ne zonen e Kamzes. Në kërkim është shpallur Leonard Hajri ndërkohë janë nën hetim dhe 6 persona të tjerë si të përfshirë në këtë ngjarje.
RENEA rrethoi dje kompleksin “Golden” në Shijak pasi dyshohej se aty mbahej peng 49 vjeçari Jan Prenga që u rrëmbye disa ditë më parë në Kamzë. Kompleksi i përket vëllezërve Emiljano dhe Altin Hajri, të cilët janë të arrestuar në Itali për trafik lëndësh narkotike.
Nga hetimet e kryera që prej momentit kur Jan Prenga u rrëmbye në Kamzë, pasi u dhunua nga dy persona të maskuar që e futën me forcë në makinë, dyshohet se ngjarja lidhet me një sasi prej 60 kg kokainë.
Sipas Policisë, kjo sasi ishte marrë në dorëzim nga njëri prej vëllezërve të Prengës, i cili për shkak se u arrestua në Londër, në vitin 2017, nuk arriti t’ua dorëzonte personave që ia kishin besuar.
Ndërkohë, Altin Hajri, një emër mjaft i njohur për drejtësinë shqiptare dhe amerikane, nuk u arrit të gjendej, duke u shpallur në kërkim.
Një operacion ndërkombëtar i Drejtorisë së Antidrogës shqiptare dhe asaj italiane, në bashkëpunim me Guardia di Financa u finalizua në orët e para të mëngjesit të 28 tetorit 2015, ku askokohe u arrestuan 16 persona.
Bilanci i këtij aksioni fliste për mbi 500 kilogramë drogë të sekuestruar, nga të cilat 206 kg heroinë, si dhe 10 milionë euro pasuri të sekuestruara, që dyshohej se ishin ndërtuar me të ardhura nga kjo veprimtari.
Dy vëllezërit Altin dhe Emiljan Hajri, nga Shijaku, u dyshuan në atë kohë se drejtonin trafikun e heroinës që nga vendi ku sigurohej në Afganistan, duke u blerë më pas në Turqi e kaluar tranzit në Shqipëri me destinacion Italinë.
Vëllezërit shqiptarë kanë drejtuar grupin në një mënyrë të ngjashme me ato të organizatave mafioze. Vëllai i madh, Altini, nuk kishte asnjë kontakt me pjesën tjetër të rrjetit. Kështu në rast se njëra qelizë zbulohej, tjetra vazhdonte punën, pa rënë në gjurmët e Policisë.