Makina ishte në pronësi të Edvin Gjylit, ish-inspektor i Krimeve te Renda në Policinë e Elbasanit. Mjeti ishte i parkuar kur i është vënë flaka.
Emri i tij nuk është i panjohur për publikun. Ai u pezullua nga detyra me akuzën se bashkë me tre efektivë të tjerë nxorën sekretin hetimor të zbulimit të arsenalit të armëve në Papër të Elbasanit.
Një ditë pas zgjedhjeve lokale, që korrespondonte edhe me një atentat me armë zjarri ndaj dy vëllezërve në Elbasan, njëri prej të cilëve mbeti i vrarë, policia zhvilloi një operacion, duke zbuluar një arsenal armësh.
Një njësi e repartit special RENEA dhe policia lokale, në një magazinë në Papër të Elbasanit, gjeti dhe sekuestroi disa armë zjarri.
Burime të rezervuara nga policia thanë aso kohe se u bllokuan 7 automatikë, 5 pistoleta, dylbi, fishekë dhe një automjet fuoristradë.
Megjithatë, për këtë operacion nuk u dha asnjë njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit, që në rastin më të mirë mund të ishte ende në hetim e sipër për arrestimin e ndonjë të dyshuari.
Pasi lajmi u publikua në media dhe nisi hetimi disiplinor për 4 oficerë. Arsyetimi: Kanë dekonspiruar operacionin. Çështja nuk mbeti vetëm me kaq, pasi pas kesaj Ministria e Brendshme njoftoi se SHÇBA ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Elbasanit, që kishte caktuar masat “Pezullim të ushtrimit të detyrës” për 4 punonjës policie në nivel drejtues.
Konkretisht, gjykata ka marrë këtë vendim për Bilal Semanajn, shef i Komisariatit të Cërrikut, Albion Xhitozin, shef i Krimeve në Komisariatin e Cërrikut, Edvin Gjylin, specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Elbasanit dhe Eduart Hasanin, specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Elbasanit.
Në këtë mënyrë, operacioni sekret, që zbuloi arsenalin e armëve, bëri “kurban” 4 oficerë policie.
Edvin Gjyli prej disa muajsh është rikthyer në punë pas një pezullimi me vendim gjykate.
Njoftimi i policisë:
Në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, ka rënë zjarr në mjetin tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetasit E.Gj., (punonjës i Policisë në Komisariatin Elbasan), i cili ishte i parkuar dhe si pasojë mjeti është djegur pjesërisht.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkakut të zjarrit dhe dokumentimin e ngjarjes.