Kush është shtetasi që dyshohet se vodhi 10 milionë euro në Rinas – ‘Truri’ i kësaj grabitje

Supergrabitja e 990 mijë euro e kryer në 30 qershor 2016 brenda pistës së aeroportit “Nënë Tereza”, ka një person të pandehur dhe ai quhet Aleks Pepa.

Elbasanlliu i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga “Interpol”, cilësohet nga prokurorët e Krimeve të Rënda si “truri” i kësaj grabitje, të ndodhur para syve të shumë personave, të cilët ishin në pritje për të udhëtuar me avion drejt Italisë.

Ka dyshime se i njëjti grup ka grabitur me të njëjtën skemë 10 milion euro sot në Rinas.

Gati 9 muaj pas ngjarjes, policia dhe prokuroria në shkurt të 2017 realizuan një kontroll të imtësishëm në banesën e prindërve të Aleks Pepa, ku gjetën 50 mijë euro brenda në frigorifer, sasi e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë mësohet se për këtë ngjarje autorët kanë përdorur katër makina të vjedhura, mes tyre dhe një furgon. Pepa dhe dy bashkëpunëtorët e tij janë identifikuar nga analizat e ADN-së dhe qelizat telefonike, të cilat kanë vërtetuar se në 30 qershor 2016, autorët janë lokalizuar nga antenat telefonike në zonën e Rinasit.

Çështja penale kundër Pepa dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, është hetuar për gati dy vite nga prokurorët Vladimir Mara dhe Olsian Çelaj, të cilët pas administrimit të shumë provave në dosje, kanë vlerësuar që këtë javë të dërgojnë në gjykatë dosjen penale në ngarkim të Aleks Pepa, për akuzën e “Grabitjes me armë të bankave” kryer kjo në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”. Ndërkohë për dy bashkëpunëtorët e tjerë të Pepa, prokuroria mësohet të ketë vendosur veçimin e dosjes penale, duke kryer hetime të mëtejshme, për përcaktimin e rolit të tyre në këtë supergrabitje.

Kush është Pepa emigranti që u kthye nga Greqia

Aleks Pepa, është një person që ka punuar si emigrant në Greqi, por në vitin 2015 është kthyer në Shqipëri, dyshohet nga prokuroria të jetë personi kryesor i grabitjes së gati 1 milion eurove në aeroportin e Rinasit. Pepa, ka bashkëpunuar dhe me dy persona të tjerë, të cilët sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, tashmë janë identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Fotoja e Aleks Pepës, është publikuar dhe në faqen e Interpolit, ku 45-vjeçari thuhet se është nga qyteti i Elbasanit. Ndërkohë informacionet flasin se Aleks Pepa pas kryerjes së grabitjes është larguar nga Shqipëria në drejtim të Rumanisë dhe më tej nuk dihet destinacioni i tij.

Për të hedhur dritë mbi itinerarin e tij, Prokuroria e Krimeve të Rënda mësohet se pak kohë më parë i është drejtuar me një letër-porosi, autoriteteve rumune, duke i kërkuar këtyre të fundit për të verifikuar vendndodhjen e Aleks Pepës, ose drejtimin e udhëtimit të tij nga Rumania e tutje. Identifikimi i Pepës është bazuar në analizën e ADN-së së një fije floku, të gjetur në paruken e hedhur pas grabitjes.

Nga ana tjetër, burimet thonë se ende nuk ka asnjë adresë mbi vendndodhjen e Pepës dhe dy bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë supergrabitje. Por pavarësisht kësaj, gjykata që prej vitin 2016 ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, pasi provohet implikimi i 37-vjeçarit Aleks Pepa, në grabitje dhe dy personave të tjerë. /Shqiptarja.com

Loading...