Luan Cenollari, baba i dy fëmijëve humbi tragjikisht jetën në një aksident të ndodhur rreth orës 3 të natës në kryeqytet. Cenollari po drejtonte një mjet tip “Honda” kur u godit nga mjeti tip “Citroen” që drejtohej nga shtetasi Emirjan Doko, që sipas policisë ishte i dehur dhe hyri me semafor të kuq dhe shpejtësi të lartë. Si pasojë e goditjes, Cenollari dhe pasagjeri i tij Ali Bejo humbën jetën.
Mësohet se Cenollari ishte polic i burgjeve, përkatësisht forcës operacionale dhe pas punës punonte si taksist për të siguruar disa të ardhura më shumë.
Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë ka shpërndarë një mesazh teksa i shpreh ngushëllimet familjes. Ajo shkruan se gjendja e vështirë ekonomike dhe pamundësia për të përballuar koston e jetesës në metropol, kishte detyruar kolegun, që të punonte si taksist.
“Sot në ora 03:15, nga një aksident, u nda nga jeta Luan Cenollari, baba i dy fëmijëve, punonjës i Policisë së Burgjeve, me karrierë mbi 20 vite në shërbim.
Aktualisht punonjës i Forcave Operacionale pranë DPBurgjeve.
Gjendja e vështirë ekonomike dhe pamundësia për të përballuar koston e jetesës në metropol, kishte detyruar kolegun tonë të ndjerë, që të punonte si taksi në shërbim të qytetarëve.
Pagat e ulëta në polici, mospagesa e orëve shtesë dhe punën në ditët e pushimit javor, detyrojnë kolegët tanë që të kryejnë një punë të dytë pas shërbimit ose të vetëlargohen nga shërbimi për shkak të diskriminimit në pagë e kushte pune!
Vetëm përgjatë vitit 2021, deri në tetor, janë vetëlarguar nga Policia e Burgjeve mbi 220 punonjës dhe ky trend po vazhdon në gjithë sistemin.
Të ndalosh pagesën sipas ligjit për punën në të shtuna dhe të diela, të mos paguash ditët tepër mbi 22 ditë/punë, të mos paguash rregullisht ditët e festave zyrtare, t’iu heqësh armatimin e brezit mbi 90% të stafit policor, normal që do priten aksidente e braktisje shërbimi! Kjo është “dhurata” çnjerëzore që dyshja zaptuese e burgjeve, po i bën punonjësve në sistem.
Nëse ka shtet normal, duhet të marrë masa urgjente, që të mos dëgjojmë më lajme të trishta me vdekje të parakohshme në Policinë e Burgjeve!
Sindikata i shpreh ngushëllime të ndjera familjes së kolegut tonë duke garantuar që do gjendet pranë me gjithë mundësitë e saj! Prehu në paqe kolegu ynë i nderuar!”, shkruan në “Facebook”
Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë:
Ndërkohë nuk kanë munguar mesazhet nga miq e kolegë të tjerë të policit të burgjeve.
“Nis dita me një humbje të madhe për familjen Cenollari. Nis dita me humbjen e kolegut t tonë Luan Cenollari në një aksident tragjik. Kam shumë për të shprehur për humbjen e një kolegu si ti…punonjës Policie model në Sistemin e Burgjeve.
Bashkë punuam në vitin 2009 në IEVP Fushë-Krujë krah njëri-tjetrit për 1 vit. Koleg që mësova shumë vetëm heshtjen tënde që të karakterizonte nga të gjithë ne, nuk e mora dot nga ti se ishe burrë me fjalë pak me shumë vlera profesionist në detyrat që ke bërë…I paharruar kujtimi yt Luan Cenollari. Ngushëllime për familjen tuaj të thjeshtë…Do i mungosh Forcës Operacionale. Do mungojë trupi yt gjigand kur u përshëndetshim në punë..😭😭😭”, shkruan Leli Çela, një punonjës i policisë së burgjeve.