Kush janë 10 vendet më të mira në botë për pensionistët

Mosha e pensionit, bart jo rrallë shumë sfida shëndetësore, por edhe psikologjike, kur dihet se shumica e jetës ka ikur, dhe kanë mbetur vetëm vitet e fundit para vdekjes. Por për miliona pensionistë nëpër botë, sfida kryesore është ajo financiare. Në shumë vende, kostoja e jetesës është rritur shumë më shpejt sesa niveli i pensionit.

Ndaj ata e kanë të vështirë të mbërrijnë fundin e muajit. Kjo ka nxitur emigrimin drejt vendeve të tjera, që kanë një kosto më të ulët jetese, dhe ku pensioni i tyre është mëse i mjaftueshëm për të bërë një jetë normale dhe pa shumë mungesa. “International Living” studion prej 4 dekadash koston e jetesës në shumë vende të botës. Ja kush janë 10 vendet më të mira për pensionistët në vitin 2020.

10- Vietnami

Vietnami ka qytete moderne, vende të lashta historike, plazhe të virgjëra, dhe ndër njerëzit më mikpritës në botë. Kostoja jashtëzakonisht e ulët e jetesës e Vietnamit, është një nxitje e madhe për të jetuar atje. Edhe në qytetet më të shtrenjta, Ho Shi Min City dhe Hanoi, një çift pensionistësh mund të jetojnë mirë për më pak se 1500 dollarë në muaj. Për ata me buxhet më të vogël, qytetet e tjera në vend janë shumë më të lira.

9-Franca

Franca ka të gjithë përbërësit që kërkohen për një jetë komode: ushqim të mirë, verë cilësore, klimë të këndshme, kulturë, sistem shëndetësor modern, tradita dhe histori të madhe. Me përjashtim të qyteteve të mëdha, Parisi dhe Lioni, qiraja është u ulët. Një çift mund të jetojë këtu për diku afro 2000 dollarë, përfshin qiranë dhe kujdesin shëndetësor.

8-Spanja

Për shkak të klimës së ngrohtë, shumë artikuj ushqimorë janë të lirë, dhe kushtojnë edhe më pak se 1 euro. Këtu mund të drekoni për një kosto 11-20 dollarë për person, me 2-3 pjata përfshirë një pije. Me një nga kostot më të ulëta të jetesës në Evropën Perëndimore, një çift pensionistësh mund të jetojë komod në shumë pjesë të vendit për rreth 2.500 dollarë në muaj.

7-Malajzia

Një familje me gjashtë persona, mund të hajë drekë në një restorant të mirë kinez për më pak se 5.70 dollarë për person, përfshirë 1 birrë. Prerja e flokëve për një burrë kushton vetëm 2.16 dollarë. Në qytetin Penang, një çift pensionistësh mund të jetojë komod me 1800 dollarë në muaj, përfshirë qiranë.

6-Ekuadori

Një apartament me 2 dhoma gjumi kushton vetëm 500 dollarë në qendër të qytetit Kuenka. Një çift pensionistësh mund të jetojë aty me 1.650-1.825 dollarë në muaj, në varësi të vendndodhjes dhe stilit të jetës. Bileta në transportin urban kushton 30 cent ose më pak, ndërsa udhëtimi me taksi 2-5 dollarë.

5-Kolumbia

Një çift pensionistësh mund të jetojë këtu me 1.030-2.720 dollarë në muaj, në varësi të vendndodhjes, stilit të jetës dhe nevojave për kujdes shëndetësor. Siguracioni për sigurimin shëndetësor publik është vetëm 75 dollarë në muaj, ndërsa shumë nga analizat laboratorike dhe ilaçet kanë një çmim modest, krahasuar për shembull me SHBA-në.

4-Meksika

Një çift pensionistësh mund të jetojë këtu për 1500-3.000 dollarë në muaj, në varësi të vendndodhjes. Për shkak të shumëllojshmërisë së saj gjeografike, secili mund të zgjedhë klimën që preferon. Por në përgjithësi i gjithë vendi është i ngrohtë.

3-Kosta Rika

Një çift pensionistësh, mund të bëjë një jetë komode për rreth 2.000 dollarë në muaj. Kosta Rika ka shumë aktivitete tërheqëse për kohën e lirë: peshkimi, hipizmi, deri tek shëtitjet, zhytjet në det dhe joga. Ndërkohë menuja ushqimore përmban një bollëk frutash, perimesh, vezësh organike dhe ushqimesh të detit.

2-Panamaja

Kostoja e jetesës është e përballueshme. Qiratë e shtëpive rriten vetëm gjatë sezonit të verës. Por ka shumë zona ku mund të jetohet me një buxhet të vogël, duke konsumuar produktet e freskëta vendase. Programi Pensionado, është nga më të mirët në botë, dhe ofron zbritje deri në 25 për qind të shumë shërbimeve.

1-Portugalia

Është vendi i dytë më pak i shtrenjtë në Evropë, pas Bullgarisë. Aty një drekë e thjeshtë plus një kafe, kushton rreth 10 dollarë personi. Portugalia nuk është vetëm një vend i sigurt, por edhe shumë i bukur, me peisazhe mahnitëse detare dhe malore, dhe shumë vende historike.

Shqipëria, një destinacion low-cost për pensionistët italianë

Klasifikimi dhe sugjerimi i mësipërm, vlen kryesisht për pensionistët amerikanë, dhe ata evropiano-perëndimorë në përgjithësi. Por pensionistët italianë me pensione të ulëta dhe të mesme, kanë gjetur vitet e fundit tek Shqipëria një vend ideal për të kaluar vitet e tyre të fundit të jetës.

Në Itali ka rreth 17 milionë pensionistë, dhe dhjetëra mijëra prej tyre jetojnë jashtë shtetit. Pensionet e italianëve variojnë nga 700-800, deri në 1500-1600 euro mesatarisht. Me koston e qirasë së shtëpisë prej vetëm 200-300 eurosh, jetesa e një çifti pensionistësh italianë në Shqipëri është komode. Sipas të dhënave zyrtare, shumica e tyre jetojnë në Tiranë, Durrës, Vorë dhe Vlorë. TIRANA TODAY

Loading...