Kushdo që aplikon në kuadër të programit “100 fshatrat” do të bashkëfinancohet nga qeveria

Kushdo që aplikon në kuadër të programit “100 fshatrat” do të bashkëfinancohet nga qeveria.

Kështu deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Roshnik të Beratit, ku vizitoi një pikë agroturistike që përbën një shembull konkret në kuadrin e Programit “100 fshatrat”, ku starton agroturizmi i parë dhe do të vijojnë investime të tjera në agroturizëm e trashëgimi kulturore.

Rama theksoi se objektiv është përfshirja në këtë projekt e të rinjve që e kanë parë të ardhmen e tyre jashtë fshatit.

“Ne kemi krijuar mundësi që ata mund ta kthejnë shtëpinë e tyre në një mekanizëm ekonomik duke e kthyer në pikë mikpritje, për të cilën qeveria të jep kontributin në dorë. Këtu është shembulli konkret që 80 mijë dollarë ne i kemi dhënë si bashkëfinancim për të bërë gjithë këtë transformim të madh dhe jo si kredi, por si dhuratë në mbështetje të një projekti. Janë 10 milionë që janë në dispozicion të programit ‘100 fshatrat’ të vendosura për ta që kanë ide dhe projekte për t’u zhvilluar dhe duan të bëhen pjesë e këtij procesi, kur flasim për start up dhe itinerare turistike”, tha Rama.

Sipas Ramës, “ky është modeli që ne duam ta shtrijmë në sa më shumë fshatra të Shqipërisë, një model zhvillimi i ekonomisë së fshatit dhe ekonomisë familjare, që kombinon me bukurinë natyrore, trashëgiminë kulturore, potencialet blegtorale e bujqësore dhe me gjithë traditën e mikpritjes”.

Rama shprehu bindjen se “familja e angazhuar në këtë projekt, me mbështetjen e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, vitin e ardhshëm do të jetë në një epokë tjetër të historisë së saj”.

“Nga një familje punëtore që ka tregtuar në këtë rajon verë e raki duke garantuar një ekonomi modeste familjare, ajo do të kthehet në një agroturizëm me të ardhura shumë të larta. Jo vetëm kaq, por do të jetë shtysë për të tjerët rreth e rrotull, për të kuptuar se jetojnë në një territor ku mjafton të shkosh pas ëndrrës, për të garantuar një fitim shumë më të madh se të gjitha kursimet e emigracionit të mbledhura së bashku”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë nënvizoi se “kjo është një histori që e kanë shkruar të tjerë para nesh, në vendet që e kanë agroturizmin një nga shtyllat e ekonomisë familjare dhe ekonomisë kombëtare”.

“Shtrirja e ‘100 fshatrave’ në Roshnik e përreth, lidhet me ambicien që tanimë turistët, që rriten në mënyrë të konsiderueshme çdo vit në drejtim të Beratit, të shtrihen edhe përreth tij dhe të mund të qëndrojnë më shumë se një mbrëmje në këtë territor. Kjo do të thotë që t’i bësh turistët të paguajnë më shumë dhe të krijosh më shumë mundësi ekonomike”, tha Rama, duke nënvizuar ndërkohë itineraret e shumta turistike që përshkojnë këtë zonë.

TIRANË, 1 shkurt/ATSH-Maela Marini/

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2140625399291978/?t=0

Loading...