Pas kritikave të BE, në lidhje me vendimin për t’i lënë gazetarët jashtë Komisioneve dhe seancave plenare, duket se Kuvendi ka ‘reflektuar’, ndërsa i ka thirrur ata në një takim ditën e nesërme.
Me një njoftim për mediat, Kuvendi bën me dije se gazetarët do të priten nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj.
Takimi do të zhvillohet nesër, në orën 11:00, në sallën në katin e katërt të Kryesisë së Kuvendit.
“Në përgjigje të shqetësimeve tuaja për sistemin e ri Audio-Video të instaluar në Kuvend, shqetësime të ngritura edhe në letrën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, ju ftojmë në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, z. Genci Gjonçaj, nesër, ditën e premte, në orën 11:00, në sallen në katin e katërt të Kryesisë së Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Gazetarët protestuan dje para sallës së seancave plenare, duke e konsideruar vendimin e Kuvendit si tentativë për të censuruar punën e tyre dhe jashtë çdo logjike.
Kuvendi reagoi pas protestës duke thënë se gazetarëve u mundësohet transmetimi i mbledhjeve të të gjitha komisioneve, pa regji qendrore dhe se sistemi i ri audio-video është i rekomanduar dhe i ndërtuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri.
Por menjëherë as kësaj, delegacioni i BE-së në Shqipëri reagoi, duke shprehur keqardhje për mungesën e konsultimeve me mediat përpara miratimit të rregullave të reja nga Parlamenti dhe duke theksuar se këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisura në këtë kontekst në vitin 2014.
Sipas disa ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, të miratuara në Byronë e këtij institucioni, gazetarët do t’i ndjekin aktivitet vetëm nëpërmjet rrjetit të transmetimit në një sallë të posaçme për gazetarët çka pengon kontaktin e afërt me deputetët. Edhe nëse gazetarët do të duan që të marrin një prononcim apo intervistë nga deputetët në mjediset e këtij intitucioni, ata nuk do të lejohen nëse nuk kanë marrë më parë leje. Organizimi i intervistave me deputetët zhvillohet në bazë të kërkesës së partaqitur te zyra në Kuvend. Në vendimin e Byrosë theksohet se do të lejohen vetëm gazetarët e RTSH-së dhe ATSH-së që të lëvizin të lirë në Kryesinë e Kuvendit dhe sallën e parlamentit me status të veçantë.