Kuvendi i Kosovës në një seancë shqyrtimi të dytë voton sot Pakon e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës: për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, të votuara me unanimitetin e deputetëve të pranishëm në shqyrtimin e parë në 18 tetor.
Pas seancës së Kuvendit të Kosovës, të vendimit për transformimin e FSK-së, do ketë edhe një ceremoni – pritje shtetërore në ambientet e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ndërsa dje pasdite, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, inspektoi ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mbajti një fjalim para tyre, vetëm një ditë para se Kuvendi i Kosovës të marrë vendim për ndryshimin e mandatit të FSK-së.
Presidenti, që me Kushtetutë është Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe do jetë edhe i Ushtrisë, me uniformën ushtarake para rreth 400 ushtarëve dhe eprorëve të FSK-së tha se vendimi për ndryshimin dhe avancimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke i dhënë kompetencat e ushtrisë së mirëfilltë, është më së shumti meritë e ushtarëve dhe qytetarëve të Kosovës.
Presidenti Thaçi theksoi se pas sukseseve të mëdha dhe përfshirjes së çdo komuniteti në Forcën e Sigurisë të Kosovës, FSK është e gatshme për mision dhe rol të ri.
Kreu i shtetit tha se FSK-ja është shembull sesi duhet të jenë të integruara komunitetet në jetën shoqërore dhe institucionale të një shteti demokratik, ku çdo qytetar përbën vlerë të shtuar për shtetin.
“I siguroj të gjitha komunitetet në Kosovë, e veçanërisht komunitetin serb, se FSK-ja do të vazhdojë t’u shërbejë të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike”, u shpreh presidenti Thaçi.ATSH