Cristiano Ronaldo është 36 vjeç dhe vazhdon të konkurrojë në nivelin më të lartë, si në nivel klubi, ashtu edhe kombëtareje. Kësaj vere ai nënshkroi për Manchester United, pastaj shënoi dy gola kundër Irlandës, të cilët i shërbyen atij për t’u bërë golashënuesi më i mirë i kombëtareve në të gjithë historinë.
Portugezi është kujdesur për fizikun e tij në maksimum prej vitesh, me një rutinë të rreptë në palestër, si dhe dietën e përshtatur sipas nevojave të tij, shumë ndryshe tani nga ato që zbatonte kur ishte te Real Madridi.
Shumë është thënë për dietën e tij, që kur filloi të shfaqë një fizik mbresëlënës, ndërsa tani ka folur një nga kuzhinierët e tij. Ai ka vendosur të zbulojë disa nga sekretet që futbollisti mban në kuzhinë. Giorgio Barone, i cili u largua përkohësisht nga restoranti i tij në Sardenjë për të punuar në Torino me ish-lojtarin e Juventusit, ka dhënë një intervistë për tabloidin britanik “Sunday Mirror”, në të cilën tregon ushqimin që Cristiano ha çdo ditë dhe trukun që përdor kundër yndyrnave.
“Duhet të kujdesesh për trupin tënd sikur për një Ferrari”, – fillon ai. Ronaldo, me një nga pagat më të larta në botë dhe biznese të pafundme që rrisin pasurinë e tij, mund të përballojë produktet më ekskluzive. Por Barone e hedh poshtë këtë ide dhe siguron se në dietën e portugezit “nuk ka ushqime të shtrenjta, por të shëndetshme, ushqime organike dhe natyrore: peshk, pulë, viç, vezë, avokado dhe oriz të zi”.
Në jetën e përditshme të Ronaldos nuk mungojnë perimet, sallatat, produktet e detit, proteinat, shumica e të cilave vijnë nga peshku. Por, sekreti i madh i Barones është vaji i kokosit, një përbërës ngopës, që forcon sistemin imunitar, nxit tretjen, përmirëson nivelin e kolesterolit dhe ndihmon në djegien e dhjamit të barkut: “Unë gatuaj me vaj kokosi. Është gjithashtu e rëndësishme të pini shumë ujë”.
Ushqimi është një pjesë themelore për performancën e mirë të sportistit, por fiziku i Cristianos bazohet në dy shtylla të tjera: stërvitje dhe pushim. Siç shpjegon shefi i kuzhinës, “plani i tij ushqimor është i kombinuar me stërvitje të forte. Sidoqoftë, pushimi është po aq themelor sa stërvitja ose ushqimi, madje edhe pasdite. Dhe ha herët gjatë darkës, jo shumë vonë”.
Giorgio ka restorantin e tij në Sardenjë. Ai jetoi në Torino me Ronaldon dhe familjen e tij të bukur, që krijoi së bashku me Georgina Rodríguez. “Cristiano është një kampion për të gjithë; një njeri i madh, një baba i madh, një familjar i madh”, – përfundoi kuzhinieri italian.