Ky vend mund dhe duhet të bëhet!

Nga Albatros Rexhaj

(Reflektim mbi shkrimin “SPAK-u, sot e vetmja shpresë për demokracinë në Shqipëri!”)

Artur Zheji, shkrimet e të cilit i lexoj rregullisht, së fundmi thotë që SPAK, sot është e vetmja shpresë për demokracinë në Shqipëri.

Si klithje publike, kjo tingëllon bukur, por, nëse SPAK-ut, apo cilësdo dege tjetër të drejtësisë, i ngarkohet çfarëdo roli përtej një instrumenti të drejtësisë (së verbër dhe të zhveshur tërësisht nga çfarëdo ndjenjë tifozerie) atëherë rrezikojmë të rrëshqasim në (atë që Lorenc Vangjeli e quan) një republikë prokurorësh.

Drejtësia (tërësia e kodeve juridike dhe instrumentet për t’i vënë ato në zbatim) nuk krijohet dhe as nuk mund të ekzistojë vetvetiu.

Drejtësia krijohet nga politika. Pra, përfaqësuesit legjitim të popullit i japin jetë kodeve juridike dhe i krijojnë instrumentet për jetësimin e këtyre kodeve.

Sot, është bërë e modës që politika të jetë sinonim i të gjitha të këqijave të mundshme, por, populizmin anash, lidhja në mes të drejtësisë dhe politikës është esenciale.

Në këtë pikë të këtij shqyrtimi duhet të përmend shënimin e kryeministrit Rama kur thotë që SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit nuk kanë pikur nga qielli, por janë një premtim i realizuar i të majtës shqiptare.

Tani dikush mund të thotë se aktet e themelimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të SPAK, si vendime politike të mazhorancës së majtë, nuk janë bërë me dëshirë, por me presion nga jashtë.

Nuk jam profet dhe as magjistar që ta di çfarë kanë njerëzit në zemër e mendje, aq më tepër politikanët, por për drejtësinë e pavarur vazhdimisht ka pasur presion nga këndej e andej Atlantikut, është folur dhe është premtuar me dekada, dhe prapë askush nuk ka lëvizur përtej retorikës.

Më pëlqeu apo nuk më pëlqeu mua, apo kujtdo tjetër, bazat e një drejtësie të pavarur (gjithnjë me supozimin që SPAK do të çojë deri në fund misionin), në histori do të shënohen si një produkt politik i të majtës shqiptare.

Quis custodiet ipsos custodes? (Kush i mbikëqyr mbikëqyrësit?)

Dymijë e kusur vite më vonë, kjo shprehje vazhdon të jetë në qendër të çdo meditimi serioz mbi demokracinë. Dhe kjo shprehje më erdhi në mendje derisa reflektoja mbi klithjen e Zhejit.

Vërtet, drejtësia krijohet nga politika, për të mbrojtur qytetarët dhe shtetin nga krimi dhe padrejtësi të tjera, por, në demokraci, drejtësia ka edhe një mision më tepër: atë të mbrojtjes së qytetarit dhe të shtetit nga politika.

Pra, sa herë që të lindë nevoja, drejtësia duhet të ngrihet dhe të veprojë kundër krijuesve të vet. Por për ta pasur legjitimitetin për ta bërë këtë, drejtësia duhet vazhdimisht të kujdeset për integritetin e vet etik.

Artur Zheji konstaton që ka pak rëndësi nëse SPAK, për momentin, godet vetëm majtas. E rëndësishme është që godet.

Për analistët e televizioneve, por edhe për teoricienë më të kultivuar, lëvizjet e SPAK-ut përbëjnë një material të bollshëm për diskutime, analiza e studime.

Kjo shpurë njerëzish të ditur kujton mëkatet e qeverive të mëhershme, krimet e vogla e të mëdha të njerëzve të pushtetshëm që nga rënia e diktaturës, e që nuk janë ndëshkuar kurrë.

Fatkeqësisht disa prej këtyre krimeve, shkaku i kalimit të kohës, mund edhe të parashkruhen, por përsëri ngelin disa të tjera që mund dhe që duhet të përndiqen penalisht.

Dhe, kjo shpurë njerëzish të ditur, ka shumë të drejtë kur e thekson nevojën e vendosjes së një balance, sepse zonja Drejtësi do të duhej të ishte e verbër. Sado e çuditshme që mund të duket, edhe vetë drejtësia duhet ta dëshmojë që është e drejtë.

Dhe kjo e fundit vlen sidomos për një mendësi si ajo shqiptare, ku mbrojtja “hajdutë nuk jemi vetëm ne, por janë edhe ata” nuk perceptohet si deklarim vetë-inkriminues.

Për të mos i bërë dikush tjetër mbikëqyrësin, drejtësia duhet t’ia bëjë mbikëqyrjen vetes, si në hapa ashtu edhe në esencë.

Dhe, duke e pasur në mendje që Shqipëria është një vend i vogël, pra gjithsecili sheh, vëzhgon dhe di çfarë bën tjetri, edhe drejtësia duhet të jetë vigjilente, duke u pastruar nga krimbat që mund të shfaqen brenda radhëve të veta.

Kjo e fundit është shumë e rëndësishme, sepse nëse shqiptarët nisin dhe flasin (përsëri) për pasuritë e hetuesve, prokurorëve dhe gjykatësve, (e sidomos) për skema e sekserë personal që mbyllin çështje penale, të aftë madje edhe të nxjerrin njerëz nga burgu, atëherë kam frikë që besimi i këtij populli (që ky vend një ditë vërtet do të bëhet) do të shkojë përfundimisht për lesh.

Por, jashtë studiove televizive dhe blogjeve intelektuale, shqiptarët e zakonshëm nuk futen kaq thellë në analiza.

Shqiptarët e zakonshëm vëzhgojnë me skepticizëm. Dhe kanë shumë të drejtë në të gjithë mosbesimin e tyre. Si dëshmitarë të shumë gjërave të mira që janë nisur, vetëm për t’u braktisur më vonë, shqiptarët kanë shumë të drejtë kur dyshojnë që edhe episodi me SPAK-un mund të ecë shtigjeve të njëjta.

Dhe këtu përsëri duhet të kthehemi te lidhja esenciale në mes të drejtësisë dhe politikës.

Në Shqipëri, nuk janë pak ata që thonë “këta e krijuan SPAK-un, por u doli nga kontrolli”.

Si një llaf tavolinash, ky është muhabet i lezetçëm, por, ecuria e ndërtimit dhe e konsolidimit të SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, nuk ofron asnjë dëshmi për këtë konstatim. SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit duket të jenë ndër të paktat institucione shqiptare që vërtet janë të pavarura.

Por, në shtigje të gjata, a do të qëndrojnë si të tilla, do të varet nga politika.

Drejtësia nuk mund ta kryejë kurrë punën e vet nëse pengohet e luftohet nga politika. Në botë ka shumë shembuj, madje edhe në mesin e demokracive të konsoliduara, ku, nën presionin e politikës, drejtësia detyrohet të çalojë.

Për mua, është shumë e rëndësishme që Kryeministri Rama është zotuar, në shqip dhe anglisht, që qeveria e tij “nuk do ta pengojë drejtësinë në rrugën e vet, kudo ku ajo të hyjë, brenda qeverisë, rrotull saj, mbrapa saj apo nën ombrellën e saj”.

Dhe, ne, të djathtë, të majtë, asnjanës, entuziastë dhe skeptikë, duhet ta mbajmë për fjalë. Ky zotim, nëse jetësohet, është gjithçka që sot i duhet Shqipërisë. Është ai hapi vendimtar që Shqipërinë e nxjerr përfundimisht nga tranzicioni.

(Autori është shkrimtar, kandidat për Doktor shkencash në fushën e studimeve të sigurisë kombëtare, si dhe studiues i funksionimit të institucioneve publike).

Loading...