Labëri e dashur, labëri me halle. Në qerpik të diellit, lapidar mbi male – Nga Jorgji Sotir Moçka

JORGJI SOTIR MOÇKA

LABERIA IME

POEMË

Labëri e dashur,
Labëri me halle,
Në qerpik të diellit,
Lapidar mbi male.

Labëri, e shtrënjtë
Lule trëndelinë,
Mërgim i flamosur ,
Më ka djegur gjinë.

Labëri e dashur,
Labëri moj nënë
Zoti të ka zgjedhur
Të qendrosh në këmbë

Të qëndrosh në këmbë
Zot për Shqipërinë
Mëma të ka thënë
Mbroma ti lirinë.

Të qëndrosh në këmbë
Roje vigjilente
Tek shpirti u gdhëndë
Si këngët mbi djepe

Labëri shpirti im,
Më ka marrë malli,
Ndodhem në mërgim,
Përndjekur nga halli.

Dhe pse jam larg teje,
Këtu në kurbet,
Gjaku në për deje ,
Labëri thërret

Më kapin kujtimet
Me pranga më lidhin
Dhe nisin rënkimet
Lotën çurg më rrjedhin.

2.
Tek malet e tua,
Aty dua të jem,
Tek stanet mbi krua,
Që këngës t’ia them.

Bilbili ta dëgjoj,
Ashtu dhe thëllëza,
Maleve të ushtoj
Nga maja tek rrëza

Të buçasin malet,
Deti të gjëmojë,
Si rrufe jehona,
Në mërgim të shkojë.

T’u mjaltojë gjakun,
Njerëzve në mërgim,
Ata lanë pragun,
Me mall e hidhërim.

Eh, kjo kënga ime,
Kënga ime labe,
Ajkë nga nëna trime,
Me zemër të madhe.

Kënga jonë labe,
Sinfoni gëzimi.
Buron n’ato male
Si ujë burimi.

Ajo shëron plagët,
Dhe këtu në mërgim.
Ti kujton dhe pragjet
Dhe mbushesh me gëzim

Kënga rend si dallgët,
Detit të trazuar,
Mi shëron plagët,
Duke gurgulluar.

Shikom pak nënoke,
Shikom brënda syrit,
Aty buron loti,
Nga honet e shpirtit.

Buron dashuria,
Për vatrën e pragun,
Ajo është lumturia,
Që më ngrohin gjakun.

3.
Labëria ime,
Nder i Shqipërisë,
Kohës me gjëmime,
Vatra e lirisë ,

Në malet e tua,
Shqipet kanë foletë,
Labëri të dua,
Mallem në kurbet,

Ato malet tua,
Oh sa luftra hoqën,
Gjaku u derdh përrua,
Për pragun u dogjën.

Labëri e dashur,
Mbi shkëmbënj e gurë,
Në majat e kohës,
Kështjellë e flamur.

Zërin çonte nëna,
Ti vrap tek dyfeku,
Që nga majë malesh,
Rrufe,si orteku,

Pleqtë edhe plakat,
Gra edhe fëmijë,
Të gjithë për trimat,
Si një prapavijë.

E deshte liria,
E kërkonte gjaku,
Mos digjesh shtëpia,
Të mos shkelej pragu.

Ndaj kriste dufeku,
Në tërë Labërinë,
Ndizej flakë gjaku,
Të mbronte lirinë.

4.
Kush se njeh Labërinë,
Labërinë me halle,
Gjakun për lirinë,
Ndër shekuj e fale.

Mbi shkëmbënj e gurë,
Derdhej si burime,
Nami merrte botën,
Labëri moj trime.

Kërkoje lirinë,
Sa shumë e deshe,
Që nga shekujt thellë,
Ti për të u ndeshe.

Shpatën edhe pushkën,
I mbaje me vete ,
Suleshe mbi hasmin,
Tufan me rrebeshe,

Shpatën edhe pushkën,
I mbaje me vete,
Frynte koha gjëmën,
Si dallgët në dete.

Shpata edhe pushka
Qenë për ty thesar
Për tokën dhe vatrën
Flakëronin zjarr

Ti në mes të llohës,
Zërin bubullimë,
Zemër e qëndresës,
Zjarr e vetëtimë.

Në të tuat gryka,
Hasmit shpesh të vinin,
Fshehur nëpër natë,
Që n’gjumë të gjenin.

Ti pushkën mbi gjunjë ,
Tek shënjestra syrin
Gjithnjë e pa gjumë,
S’rrije mbi definë.

Zogjtë natës trëmbur,
Iknin nga foletë,
Ti në këmbë gjëndur,
Lëshoje rrufetë.

Djemt e tu me flatra,
Shpejt si vetëtima,
Zinin qafa,gryka,
Zjarr ndizej lugina.

Labëri nënoke,
Ti që s’u dhe kurrë,
Në shekuj e vite,
Shtiza me flamur.

Ti flamur betejash,
Skuqur përmes gjakut,
Lapidarët radhë,
Dritë i japin pragut.

5.
Labëri nënoke,
Nderi Shqipërisë,
Mbi shtrëngata prive,
Udhëve të lirisë.

Në malet e tua,
Oh,sa luftra hoqe,
Gjaku rridhte krua,
Mbi brinja e sope.

Erdhi plaku Vlorës,
Bëri Shqipërinë,
Flamurin mes dorës,
Shpalli mëvehtësinë.

Ta gëzojmë na tha,
Vëllezër Shqipërinë,
Pesë shekuj e shkreta,
Hoqi robërinë.

Na gëzoi shpirti,
Hodhi valle zemra,
Shqipëri e lirë,
Gjëmoi vallja,kënga.

Por s’eci nafaka,
Gjaku prapë ngriu,
Evropa e prapa,
Në thela na griu.

Me thikën e hiles,
Na ndau në copa,
U vërsulën fqinjët,
Ushtritë me topa.

Ndezur qe Kosova,
Flakë labëria,
Tym dilte nga Shkodra,
Qante Çamëria.

Nisi luftë e parë,
Si një inondatë,
Evropa e marrë,
Mbytur në shtrëngatë.

Shqipëria jonë,
U bë vatër zjarri,
Evropa siç thonë,
Mëndjen tek pazari.

Vlora ime dashur,
Nga hasmi pushtuar,
Zëmër e labit ndezur,
Mbeti e pa shuar.

Shpërtheu Labëria,
Si një uragan,
Të rrojë Shipëria,
Para për vatan.

Vëllezër shqipëtar,
Të shporrim Italinë,
Lebrit kordhëtar,
Prinin për lirinë.

Sulm mbi dushmanin,
Ta hedhim në det,
Vlora është e jona,
E do rroj për jetë.

Xha Selam ky plaku,
Mustaqet si bora,
Legjenda,bajraku,
Tutje për nga Vlora.

Mbi telat me gjëmba,
Aty tek Babica,
Porsi një dragua,
Zu topin nga gryka,

Sharku i Labërisë,
Si urë shpëtimi,
Dritë Shqipërisë,
Në çdo ditë gëzimi.

Kërciste dufeku,
Tutje nga Babica,
Xha Selam bajraku,
Vërvitej mbi prita.

E mori legjenda,
Në krahët e veta,
Në altar të kombit,
Do të rroj sa jeta.

6.
Labëria ime,
Labëri me halle,
Gjithnjë për lirinë,
Zjarr ndizje në male.

Edhe vitet shkuan,
Prapë ky pushtusi,
Oh,ç’na tradhëtuan,
Zogu lepurushi.

Nisi luftë e madhe,
Si një uragan,
Në gjithë Shqipërinë,
Stuhi dhe tufan ,

U ngrit Labëria,
Gjithë Shqipëria,
Vëllezër liria,
Thirrte vegjëlia,

Na kërkon të gjithve,
Që gjakun ta japim,
Se liri e vendit
Nuk vjen si dhurim,

Vendit, anë e mbanë,
Në male e fusha,
Furtunë, uragan ,
Të gjëmonte pushka,

Dhe u mbushën malet,
Plot me partizanë,
Për lirinë e vëndit,
Shumë trima u vranë.

Dhe erdhi liria,
Liri e shpresuar,
Nënë Shqipëria,
Nga bota veçuar.

Miq e shokë s’patëm,
Ecnim rrugës vetëm
Lirinë s’e hasëm,
Kurrë atë s’e gjetëm.

7.
Pastaj drita lindi,
Erdh demokracia,
E prisnim që moti,
Të ndriste liria.

Ne ishim të varfër,
Si fishek gjerdani,
S’kishim gjë në vatër,
Ishte tharë tigani.

Fëmija kërkonte,
Kotheren e bukës,
Ndaj halli e donte,
Që të shkonim botës,

Morëm arratinë,
Nga mali e deti,
Këmbët na u shkrinë,
Tutje nga kurbeti.

Ndaj të shkruaj me mall
Labëri e dashur
Në zemër kemi hall
Shpirti na është plasur.

Shpirti im trazuar,
Si shtrëngata deti.
Nga fati mallkuar
Jetoj tek kurbeti.

8.
Derdha unë tek kënga
Mallin e pashuar.
Të më shporret brenga
Shpirtin më ka bluar.

Tek mërgimi nëmur,
Shkruaj për vendin tim.
Malli më ka djegur,
Shpirti s’gjen shërim.

Labëri e dashur
Labëri me halle
Në qerpik të diellit
Lapidar mbi male.

E shtrënjta labëri
Lule trëndelinë
Dashuria jote
Mua më ngroh gjinë.

9.
Labëria ime,
Labëri moj nënë
Ika në mërgime
Ika mora dhenë

Labëria ime
Tash lotoj nga malli
Shkova në mërgime
Se më shpuri halli

Varfëri e shkretë
Më ndoqi me dhunë
Rrugëve nëpër det
Mbi dallgët me shkumë

Labëri moj nënë
Ç’dreq qënka mërgimi
Hodhi shpirti rrënjë
Në dete trishtimi

Mërgimi i nëmur
Nuk më ngop shkëlqimi
Shpresat m’i ka tretur
Më mbyt dëshpërimi

Ndaj shpesh më shtrydh malli
E mbytem në lotë
Si një gur zalli
Lahem nëpër sqotë

Psherëtij brengosur
Si zogu në kafaz
Ky mërgim i nëmur
Po më frynë maraz

Në vetmi të natës
Kur terri mbretëron
Si në mes shtrëngatës
Shpirti më xixëllon

Si krisëm rrufeje
Më buçasin veshët
Gjaku nëpër deje
Fillon dhe më nxehet

Brenga e mallkuar
Që tek mua flinte
Çohet alarmuar
Për fyti më zinte

Që nga honet brenda
Kujtimet vërshojnë
Ma nis këngën zemra
Ndjenjat më vallëzojnë

Shpirti menjëherë
Vetëtin, gjëmon
Mendja më bëhet erë
Tek ty më fluturon

Me vrap vetëtime
Vjen tek pragu nënës
Si drita n’agime
Ulet në mes zemrës

Tek malet e tua
Aty kërkon të jetë
Tek stanet mbi krua
Me gaz e shëndet

Dhe t’ia marr këngës
Zërin si gjëmim
T’i nxjerr rrënjët brengës
Të mbushet me gëzim

Të buçasin malit
Detit t ë jehojnë
Kënga mjaltë e labit
Mërgimit të shkojnë

Kudo në çdo shtëpi
Ku shqipot jetojnë
T’u fali dashuri
Zemrat t’u gëzojnë

Që kokën nga nëna
Ta kthejnë mërgimtarët
Se aty është zemra
për të gjithë shqiptaret

Loading...