Labëri me çika stralli, me gurë të rëndë, hordhive të shumta, ju tregove vendin. Labërit e sotëm janë Lapët e lashtësisë, fis ilir, si mollosët, dardanët, kaonët etj. Ata i gjejmë të banonin në Pind deri në Tesali, gjurmët e tyre gjenden edhe në Peloponez. Lapët përmenden si një popull luftarak dhe burrëror, të urtë, të mençur, por dhe të ashpër. Që këtej ata filluan lidhjet me Epirin. Hipsi, Periti, Tiseu, Ejeu dhe shumë të tjerë janë heronj lapë të lashtësisë. Në Tisia, kemi gjurmë të lapëve, por më tepër i gjejmë në Atikë dhe Qipro. Historiani M. Saqelariu, ashtu si shumë shkrimtarë e historianë të hershëm thotë se këta lapë, kanë veti të përbashkëta me labërit shqiptarë. Këtu, bëhet fjalë për fise pellazgo-ilire, që zbrisnin herë pas here nga Iliria, në kërkim të hapësirave fushore dhe popullonin ato vende. Legjenda thotë se prijësi i Korintit, Periandri, mbyti në gjirin e Korintit, kodoshët dhe prostitutat e qytetit. Një veprim të tillë bëri shumë shekuj më vonë një lab tjetër, kësaj radhe Ali. P. Tepelena do të përsërisë me saktësi këtë veprim të ashpër, duke mbytur në liqenin e Janinës, prostitutën e njohur Frosinë me 14 të tjera, si ajo. Labëria dhe Himara, si qindra vjet më parë, kanë qenë një e të pandara, duke ecur në gjurmët e të parëve, që me gjakun e tyre të kulluar vaditën tokën amtare. Bijtë e tyre kanë qenë pishtarë të mëdhenj të lirisë, janë ikona e qëndresës dhe pavarësisë së vendit.
Ata luftuan për lirinë e Atdheut më gjerë, dhanë gjakun e tyre, për këto ditë që ne sot jetojmë. Krisma e dyfekut të tyre u dëgjua tej e mbanë maleve të Labërisë e Maleve të Vetëtimës. Mëma Shqipëri kish lindur trima, që do t’i dilnin zot vatanit, ata ishin ajka e djalërisë, që u ndeshën dhëmbë për dhëmbë me hordhi të shumta, duke çarë tallaze e dete, si zgalemi në furtunë. Këto dy krahina sot u bënë përsëri një, siç kanë qenë dikur, duke ngritur çerdhen e miqësisë dhe të bashkëjetesës në zëmrat e tyre. Këndej kanë dalë, që në kohët më të lashta, trima levendë, që nuk e llogaritën jetën e tyre, para lirisë së Mëmëdheut, por qëndruan si Shqipe mali. Gjithmonë i kanë treguar gjoksin armikut, nuk ndjejnë frikë asnjëherë, ishin trimat e zgjedhur me dorë. Ishin si vëllezër, edhe pse me fe të ndryshme, pasi në Shqipëri nuk zuri vend parulla përçarëse, se po të jesh i krishterë je grek, po të jesh mysliman je turk. Shqiptarët, si në kohën e të madhit Skënderbe, mbetën të bashkuar deri më sot, pasi historinë e shkruan me gjak nëpër brinja, gërxhe, shkëmbinj. Ata nuk u ndanë kurrë, prinin kurdoherë para në beteja të ashpra, me flamur në dorë, se kishin ngjarë nga të parët e tyre, që luftonin si luanë, se lisi mbi lis do të mbijë. Mali i Çikës, malet e Vetëtimës, mali i Bogonicës dhe mali i Çipinit, të dy krahinave u qëndrojnë si kurorë përmbi kokë. Ato male janë monument natyror, që u kanë dhënë dhe u japin fuqi, guxim e trimëri. Banorët kanë dhënë e kanë marrë me këto male, kanë shkëmbyer midis tyre tiparet më të mira të karakterit, si qëndresën burrërore dhe buzëqeshjen shpirtërore. Aroma e trëndelinës u mëkua në gjak që në foshnjërinë e tyre. I ka bashkuar shpirti i sakrificës, qëndresës dhe trimërisë. Me krenari mund t’i quajmë martirët e Jugut me taban, të cilët po prehen në altarin e lirisë dhe në mendjet njerëzore. Vlerat e kombit shqiptar, e ato të Labërisë në veçanti, janë të shumta. Shumë është folur për trimërinë, kjo vlerë nuk mund të ndahet nga dija, besa, besnikëria, atdhetaria, mençuria, patriotizmi, ndershmëria, bujaria dhe thjeshtësia e tyre. Shumë figura të shquara, si pararoja e çështjes kombëtare, kanë spikatur nga kjo trevë, të cilëve iu duhet dhënë merita dhe vendi në panteonin e historisë së kombit tonë. Krahas periudhës së çlirimit, për të, kanë folur e shkruar shumë, se të shumtë qenë heronjtë e dëshmorët e saj, hapësirën e duhur duhet të kenë dhe heronjtë e mesjetës dhe më të hershmit, të cilët kanë kontribuar në çështjen e mëmëdheut. Ngjarjet historike atdhetare, të çdo kohe, të tanishme apo të hershme qofshin, kanë dhe duhet të kenë gjurmët dhe vulën e tyre në historinë e trevës së Labërisë, të Himarës, e të gjithë vendit. Unë po përmend disa ndër të shumtët.
“Dhamian, trëndafil me erë/ i paudhi ç’të ka prerë”
Ishte një ndër trimat himarjotë që priten më 1537, me luftë të përgjakshme, ushtrinë osmane, të komanduar nga vetë sulltani. Sali Vranishti, Nase Labi, Toto Hosi, Sokrat Leka, Laze Kuçi, Ismail Qemali, Nase Beni, Beqir Labi, Hito Labi, Hajro Çakërri, Hysen Çino, Leskodukajat, Hodo Nivica, Bilbilejte 13-të, Andon Linjërosa, Zenel Gjoleka, Miho Hoçi, Selam Musai, Halim Xhelo, Sado Koshena, Dervish Aliu, Bilbil Leskua, Habip Lilo Bolena, Çerçiz Topulli, Sulo Sinan Bolena, Odise Kasneci, Sadike Birçe Guxho, Sinan Malo, Miro Tërbaçia, Gjikë Kokaveshi, Ali Pashë Tepelena, Kiço Leka-Kaçandani, Myslim Gjoleka, Pilo Kasneci, Ismail Progonati, Isuf Bushi-Rexhepi, Dhimitër Dede-Kabuci, Sokrat Leka, Theodhori Kollokotroni (nga Iliasi im i vogël), Avni Rustemi, Zaho Koka, Musa Hoti, e shumë e shumë të tjerë. Sa bukur u përshtaten fjalët: “Pse lufton o derëzi, as për mua, as për ty, po për gjithë Shqipëri”! Këtyre heronjve, në dejet e tyre u rrjedh i njëjti gjak, gjaku i Pellazgëve, Ilirëve, i Kastriotit, që me gjoksin e tyre vulosën grykën e topit. Trimat e Labërisë, këta heronj të hershëm e të sotëm, në shekuj si diell do të mbeten, si flakadanë, si yje të pashuar. Burra të fortë, si vetë natyra që i rriti, si dikur kreshnikët nëpër legjenda. Labëria është përgjithësimi i vlerave më të mira të së kaluarës, përkrah me Himarën bregdetare, që ndodhet në zëmër të trojeve labe.
Ky është një argument më shumë për ata që predikojnë autonominë e Himarës dhe Vorio-Epirin. Një vlerë tjetër, për tu përmendur, është Kanuni i Labërisë, ku mund ta quajmë pa frikë si një pishtar të kulturës shekullore të kësaj treve. Në të spikatin vlera të mëdha morale, si dhe ligjet e kodet zakonore, të vendosura nga urtësia e mençuria e të moshuarve të asaj kohe. Këto male që kapin retë, që rrinë sup më sup me njëri-tjetrin e kuvendojnë, ashtu kryelartë e plot madhështi, janë dëshmitarë të lidhjes dhe qëndresës së përbashkët të Labërisë dhe të Himarës. Miqësia e këtyre trevave u jepte më tepër forcë, guxim e trimëri, bijve të tyre, që luftuan për vatanin. Prandaj dhe vargjet për ta nuk kanë munguar asnjëherë. Ata janë përjetësuar duke u gdhendur në shpatet e maleve, atje ku luftuan, për këto troje, ku ne sot jetojmë. Malet thurur si kurorë, këto male të mbuluara me borë e të mbushura me lule gjaku flasin shumë e tregojnë gjurmët e trimave të pashoq. S’kishte si të ndodhte ndryshe, pasi Himara që ndryshe quhet Imarë e Toskërisë, dhe që është ndeshur me pretendimet e një kryqëzate fetare, greke, të cilët nuk ngurrojnë t’i quajnë këto pretendime si lakmi të shenjta, ka qenë dhe është tokë shqiptare, pjesë e Labërisë. Kjo dëshmohet në dokumente. Labëria përfshin trevën e Kaonëve të Ilirisë. Ka një shtrirje historike dhe etnografike në krahun e majtë të Vjosës, brenda urës së Drashovicës, urës në Tepelenë, urës së Kalasës, dhe nga Lëkursi e Nivica deri në Radhimë-Tragjas-Dukat. Këtu Himara ka qenë nënndarje e Labërisë, herë si kryeqendër e herë e varur nga qendra të tjera, ashtu si dhe Kurveleshi. Këta trima dhe heronj të trevës së Labërisë që nuk janë të paktë, e që unë përmenda disa prej tyre, Labëria i ka skalitur në gjoksin e saj, ata e mbajnë të gjallë, e të freskët, të bukur e krenarë, si vetë bijtë që lindi. Treva e Labërisë bëri histori, ajo bëri shtet, ajo bëri Shqipërinë! Kjo trevë e ngritur mbi palcë guri i ka patur dhe i ka zemrën dhe sytë tek Shqipja dy krenare. Labëria është gjithmonë në këmbë, rreth flamurit të bashkuar, flamurit me lavdi mbuluar! Atje ku malet puthin retë, atje ku trimëria flet, në ato malet e sertë, atje ku shqiponja ngre fole, ajo pra Labëria, do mbetet një monument qëndrese për liri, në historinë shekullore të Shqipërisë. Më shumë se unë që po shkruaj këto rreshta, flasin këngët e ngritura nga populli, të cilit nuk i mungoi kurrë as letra e as kalemi, për t’u thurur vargje. Kur perëndimi i diellit rrëshqet mbi det, Labëria nën yje e mbi gërxhe për lashtësinë, e për të sotmen na flet!/Eglantina Bifsha Bajrami