Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, ish-numrin dy të qeverisë dhe ish ministrin e Financave, Arben Ahmetaj.
Panorama TV mëson se për këtë janë njoftuar Interpol dhe institucionet e tjera ligjzbatuese ndërkombëtare.
Pas kontrolleve, Policia e Shtetit i ka kthyer përgjigje SPAK, duke i thënë se ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri.
Po ashtu edhe nga të dhënat e sistemit TIMS, rezulton se Ahmetaj është jashtë territorit shqiptar. Një gjë të tillë e ka deklaruar edhe vetë Ahmetaj, i cili ka deklaruar se ndodhet jashtë për arsye familjare.
Ahmetaj është larguar nga Shqipëria ditën kur SPAK i dërgoi letrën Kuvendit të Shqipërisë për të marrë lejen për arrestim dhe avokatët e tij thonë se ish zv. kryeministri ndodhet në Angli.
Një javë pasi 117 vota i lanë duar të lira SPAK për Arben Ahmetaj, Gjykata e Posaçme pranoi dy kërkesat e prokurorëve të Posaçëm për kontrollin e disa banesave të dyshuara se i përkasin ish funksionarit, si dhe vendosi sekuestro preventive.
DOSJA PËR AHMETAJN
Janë mbi 300 faqe dosje që sipas SPAK zbulojnë udhëtimet e hetuara nga SPAK të Arben Ahmetaj dhe të afërmve të tij, për periudhën 2013 – 2017. SPAK thotë se Ahmetaj për vete e të afërmit ka përfituar 34 mijë euro në formën e shpenzimeve për udhëtimet nga Klodian Zoto dhe Mirel Mertiri ndërsa këta kanë përfituar kontrata. Bëhet fjalë për 14 udhëtime dhe qëndrime në hotele luksoze nga Milano të Italisë në Monako, Vjenë të Austrisë, Frankfurt të Gjemanisë dhe Francë nga viti 2013 – 2017. Ahmetaj u emërua në postin e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes në shtator 2013 ndërsa SPAK në dosje thuhet se më 10 korrik 2013 në hotelin Principe di Savoia, në Milano janë paguar 1535 euro për Arben Ahmetajn dhe Erjola Hoxhën dhe miken e Erjolës.
Më pas më 15 korrik 2013 Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij Erjola Hoxha dhe shoqen e saj kanë qëndruar në hotelin Hermitage në Monako ku janë paguar 3156 euro. Ndërkohë, më 19 korrik 2016 janë paguar 10 600 euro për hotel “SPA Tiara Miramar” me pesë yje që gjendet në Cote d’Azur ose Bregu i Kaltër, një segment i bregdetit të Francës në Mesdhe. Shpenzimet më të mëdha të “luksit’ janë kryer gjatë vitit 2016 me 15 228 euro. Në dosje rezulton se dhe ish ministri Damian Gjiknuri ka qenë në një hotel me Arben Ahmetaj në Frankfurt të Gjermanisë për të cilin janë paguar 1052 euro, por vetë Gjiknuri ka mohuar më herët të ketë përfituar pagesa hotelesh nga Zoto.