Pas 22 ditësh në karantinë dhe vetizolim në shtëpinë e tij, drejtori i Urgjencës, Skënder Brataj më në fund ka fituar betejën e tij me COVID-19. Brataj, një nga mjekët që ishte në vijë e parë të luftës me koronavirusin rezultoi pozitiv më 24 mars dhe që nga ajo ditë, ka qenë në karantinë në banesën e tij.
Një tjetër i shëruar ishte edhe Andi Koraqi, shef i shërbimit të mikrobiologjisë në QSUT. Më 31 mars Koraqi shkoi për herë të parë në spitalin infektiv, por qëndroi vetëm një orë, duke konfirmuar kështu që simptomat nuk ishin shumë të rënda. Më 5 prill Koraqi u shtrua në spitalin infektiv, por fatmirësisht sot raportohet se e ka mposhtur COVID-19.
Lajmin e mirë për dy mjekët e dha Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se përveç Brataj e Koraqit janë shëruar dhe dy infermierë e kanë mundur sëmundjen e rrezikshme. Në total deri tani janë shëruar 36 personel shëndetësor.
“Lajme të mira për stafet mjekësore. Më gëzon pa masë lajmi se dr. Skënder Brataj dhe dr. Andi Koraqi e kanë mundur sëmundjen e rrezikshme dhe sot janë të shëruar nga COVID19. Katër mjekë dhe infermierë janë shëruar në 24 orët e fundit. Deri tani 36 personel mjekësor janë shëruar nga COVID-19 duke e çuar në 248, pacientë dhe staf mjekësor e kanë fituar betejën me COVID-19”, shkruan Manastirliu.