Kërkesa e burgjeve është dorëzuar në gjykatën e Elbasanit në vazhdën e sistemit penitenciar për të zbatuar një ligj të 1998 për sigurinë në burgje, dhe nuk ka aspak lidhje me ligjin e miratuar së fundmi 41 bis që synon kontrollin e rreptë të personazheve më të rrezikshëm në burgje për të cilët dyshohet se vazhdojnë të mbajnë lidhje me ushtarët e tyre jashtë qelisë.
Kërkesa e drejtorisë së burgjeve për Gazmir Brakën ju dorëzua gjykatës për shkak së të dënuarit iu gjet një telefon në qeli dhe kjo është konsideruar si shkelje e rregullave në burgje.
Deri tani sipas vendimeve të shpallura me kërkesë të burgjeve janë vendosur në regjim të veçantë dhe me mbikëqyrje të rreptë 11 të dënuar.
Siç thotë një burim i sigurt njëri prej tyre ka tentuar të arratiset, gjashtë të tjerë janë rebeluar ndaj policisë në burgun e Drenovës, ndërsa një i paraburgosur është përpjekur të arratiset nga salla e gjykatës së rrethit gjyqësor Mat.
Burgu brenda burgut është një regjim i posaçëm i përkohshëm që minimizon takimet me të dënuarin ku atij i lejohet vetëm takimi me prindërit dhe bashkëshorten.
Mbikëqyrja e regjimit të veçantë përfshin edhe reduktimin e daljes së ajrosjes dhe shmangien e kontaktit të të dënuarit me të dënuarit e tjerë në sektor.
Ndërkohë pritet që në vjeshtë në dy burgje , përkatësisht tek 313 dhe në Peqin të aplikohet edhe regjimi i rreptë 41 bis, i cili do të aplikohet ndaj të dyshuarve që janë pjesë e krimit të organizuar, citon Top Channel.