NJOFTIM PËR NDARJE NGA JETA TË NURI JAZO HYSAJ.
Në këtë moment aspak të zakontë, për shkak të izolimit nga koronavirusi, familja Hysaj me hidhërim të thellë njofton se, sot në datën 28 prill 2020 pas një sëmundje të rëndë, është ndarë nga jeta në moshën 84 vjeçare Nuri Jazo Hysaj.
Varrimi bëhet nesër, datë 29 prill 2020, ora 11:00 në varrezat e Vlorës.
Nuriu u lind ne Kallarat më 14 shkurt 1936, në një familje me ndjenja të larta patriotike dhe atdhetare. Që në moshë të vogël mbeti jetim pas vdekjes së nënës bashkë me tre vëllezërit dhe dy motrat. Vazhdoi shkollen e mesme në Tiranë në degën radio teknike. Punoi tërë kohën në Ushtri në ndërlidhje gjer sa doli në pension, duke spikatur për korrektësinë, besnikërinë dhe përgjegjshmërinë në kryerjen e detyrave, në një sektor delikat e shumë të rëndësishëm, siç ishte radiondërlidhja.
Nuriu u martua me Hava Fejzaj nga Kallarati me të cilën lindën e rritën me sakrifica katër fëmijë, Elisabeten, Fatmirin, Arjanën dhe Adrianin.
Familja e Nuriut ka jetuar një pjesë të kohës në Shkodër, ku gëzonte respekt të komunitetit shkodran dhe ishte strehë për çdo kallaratas që banonte atje.
Me dëshirën dhe mallin për të qenë pranë njerëzve, pas viteve 90, u vendos në Vlorë.
Kudo ku jetoi dhe punoi Nuriu u shqua si njeri i dashur, fjalëpak dhe shumë i respektuar në familje e shoqeri. Ai kishte një dashuri të madhe për vendlindjen, Kallaratin dhe njerëzit.
Nuriut i takonte të përcillej me dinjitet nga familjarët, miqtë e shokët dhe bashkëfshatarët e tij kallaratas, por kufizimet për shkak të pandemisë, e bëjnë të pamundur pjesëmarrjen e tyre.
Vdekja e tij do të lerë një boshllëk në familje, vëllazëri, por edhe te ne bashkëfshatarët e tij.
Kryesia e Shoqatës Kallarati i shpreh ngushëllimet më të thella e të sinqerta, bashkëshortes, fëmijëve, vëllezërve dhe motrave!
U prehtë në paqe! Qoftë i paharruar emri dhe kujtimi i Tij!