Legjenda e dhimbjes së heshtur”, në funksion të së ardhmes
Shkruan: Ilir Memedi
Kujtesa për të kaluarën zakonisht i shërben të tanishmes dhe dora dorës vihet në funksion për të ndërtuar të ardhmen. Me fjalë të tjera kështu definohet detyra e historisë dhe bashkë me të edhe detyra e çdo brezi për ta kujtuar të kaluarën e ngjarjeve të zhvilluara nga më të hershmet e deri tek ato në të cilat ka bashkërrugëtuar e bashkëjetuar.
Për ta shndërruar kujtesën në paharresë përmes librit të cilin po e promovojmë sot, të titulluar: “Legjenda e dhimbjes së heshtur”, të autorëve të nderuar, na jepet mundësia t’i mësojmë gati në plotëni peripecitë atdhetare e dramatike të familjes së Ilaz Salihaj në trajtën e një historie e cila zë fill qysh në vitet e fundit të Luftës së Parë Botore.
Sipas të dhënave të përshkruara në këtë libër del sheshazi fakti se Besa kanunore në familjen Salihaj ishte brumosur në gjenezën mentale të kësaj familjeje. Duke i përcjellë rreshtat e këtij libri, përligjet kryetitulli i librit, që autorët e përzgjodhën jo rastësisht. Familja e bacës Ilaz herët e kishte mundur frikën, ndërkaq, kur u përball me humbjen e pesë anëtarëve të saj, dhembjen e shkaktuar e mundi me heshtje për t’i hapur rrugën akoma më shumë veprimtarisë atdhetare të anëtarëve tjerë në hovin e luftës për çlirimin nga pushtuesit sllavë.
Pra, heshtja ashtu siç e pasqyrojnë autorët, në fakt ishte vazhdimi i kësaj lufte. Këtë e dëshmon aktiviteti që e vazhduan anëtarët e mbetur të familjes, të cilët pamjen për mort e zhvendosën për në kohë lirie. Dhe e tëra kjo nuk ishte rastësi, sepse, kjo familje, atdhetarinë që moti e kishte brumosur si kod fisi dhe mënyrë jetese.
Ndonëse jemi në cilësinë promovuese është me rëndësi të theksohet se libri ofron dëshmi të përcjella me interpretime dhe gjykime të cilat përjashtojnë çdo hamendësim lidhur me vërtetësi të tyre dhe si i tillë ndjek ligjësitë e trajtimit objektiv e historik me një renditje të kujdesshme kronologjike të ngjarjeve.
Autorët me mjeshtri të hollë ia dalin që përmes ngjarjeve të trajtuara të akceptojnë virtytin atdhetarë të familjes Salihaj e cila dhembjen e sfidoi me heshtje dhe mburrje dhe më pastaj mburrjen e shndërroi në amanet të përcjella besnikërisht tek brezi që bashkëjetoi dhe tek ai pasardhës.
Lapidarët e të rënëve, po se po, janë dëshmia e palëkundshme e sakrificës për lirinë e Kosovës, ndërkaq librat e këtij lloji janë monumente të transmetueshme dhe të pazëvendësueshme në memorien kombëtare shqiptare.
Të shndërruara në historiografi veprat e tilla për brezat do të shërbejnë si mburojë e fortë dhe e përhershme për të kaluarën, të tanishmen dhe të ardhmen.
Respekt për të rënët për lirinë kombëtare, respekt për autorët dhe për Ju të pranishëm që me pjesëmarrjen tuaj dëshmuat se veprat atdhetare, siç është kjo e familjes Salihaj, përkujtohen me dinjitet.