LEGJENDA E DHIMBJES SË HESHTUR
Ky libër është një libër dokumentar i familjes Salihaj nga fshati Duraj i Kaçanikut.
Një kronologji historike e ngjarjeve shumë tragjike për këtë familje gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku Baba Ilazi humb katër djemtë dhe nusën e shtëpisë.
Kur lexon librin ecë në çdo hap me Reshat Salihajn, veprimtarin e paepur të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ecë në hapat e tij në rrugën aq të mundimshme për LIRINË e Kosovës. Ecë në hapat e tij me dhimbjet e mëdha që prekin familjen e tij.
Dhimbja e heshtur të nxjerr lotët kur lexon kujtimet e Reshatit për vëllëzërit dhe gruan e vëllait, si dhe kujtimet e Xheves për ato përjetime të rënda dhe tragjike për familjen.
Dhimbja e heshtur, në anën tjetër trazon botën njerëzore, nxjerr zërat më të zhurmshëm të forcës së njeriut për të qëndruar drejt në rrugën tënde të zgjedhur, për të qenë vetëvetja dhe i lirë në shtëpinë tënde, në vendin tënd.
Historia e familjes Salihaj është edhe një krenari e jona, e qëndresës sonë për të ecur përpara, për të ndërtuar një Kosovë për të cilën kemi ëndërruar të gjithë, e të kujtojmë për jetë të jetëve ata që ranë në altarin e lirisë.
Një vështrim të shkurtër për librin, mes lotëve!
D. Smakaj