Legjenda – Pse Ali Pashë Tepelena mbyti 18 vajza në liqen?

Janina apo Ioannina për fqinjët, vendi i lavdisë dhe rënies tragjike të Ali Pashë Tepelenës.

Mbi kodër, në pjesën perëndimore të qytetit, brenda kështjellës mesjetare gjendet varri pa kokë i Ali Pashait, i fortifikuar me një kupolë të hekurt.

Pranë tij thuhet se prehet Emineja, gruaja e parë dhe një foshnjë, eshtrat e së cilës janë zbuluar aty pranë, që thuhet të ketë qenë vajza, të cilët Pashai e mbyti pasi nuk donte fëmijë femra.

Pranë varrit është Xhamia e Fitores, e ndërtuar në rrënojat e një kishe bizantine më 1430 –ën. Formën e fundme ia dha Ali Pashai.

Fotis Rapakusis, rrëfen për grupin e turistëve dashurinë e madhe që Ali Pashai kishte për gruan e parë Eminenë, me të cilën edhe pse pa kokë prehet pranë.

Thuhet se pas vdekjes së saj, Pashai dilte netëve dhe mbi varrin e saj lotonte.

Pamja piktoreske që ofron liqeni që rrethon kështjellën bëhet e zymtë nga legjenda se Pashai mbyti 18 vajza, duke i futur në thashë me grykë të mbyllur dhe lidhur me gurë…

Gjithçka nisi nga Zonja Frosina, gruaja pas së cilës u dashurua marrëzisht i biri i Ali Pashait, Muhtari .

Rapakusis rrëfen:

“Frosina ishte e martuar me një tregtar. Kur iknin jashtë Pashai iu mbante familjet peng që të kishte sigurinë se ata do të ktheheshin. Frosina u lidh me djalin e Ali Pashës dhe kur u morr vesh kjo lidhje qe skandal për kohën”.

Gruaja e Muhtarit dhe nusja e djalit tjetër, motra dhe bijat e Pashait të Beratit thuhet se i vunë veton Pashait për të vendosur nderin në vend.

Për të mos e bërë publik skandalin e familjes së tij, por edhe për të kënaqur nuset dhe për të ruajtur aleancën me Pashain e Beratit, Ali Pashai nxori një dekret për të pastruar qytetin nga prostitutat.

U gjetën 17 vajza publike, ndërsa Frosina u bë e 18 –ta ndër to, të gjitha të mbytura në liqen.

Loading...