Prej kohësh, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli është kthyer në një nga personazhet më të sulmuara brenda PS-së.
Pas krisjes së marrëdhënies së tij me kryeministrin Rama, të shumta kanë qenë sulmet e deputetëve ndaj Lelit ndërsa së fundmi vetë Këshilli Bashkiak i është kthyer kundër.
“I kisha kërkuar Këshillit Bashkiak që ta zhvillonim sot mbledhjen e radhës, atë që u pezullua po prej këshillit, megjithëse e planifikuar prej tij, dhe u shty pa rënë dakord, për në datën 30. 06. 2021.
E gjithë kjo, shpalos një situatë jo normale dhe jashtë funksionit të këshillit të bashkisë, megjithatë, për shkak të një axhende të programuar kohë më parë, nuk e kam të mundur të jem pjesë, siç i njoftova!”-shkruan Leli.
Dritan Leli në Facebook, duke informuar rreth gjendjes aktuale në Bashkinë e Vlorës sulmon qeverinë se po pengon punën në këtë qytet duke krijuar “mizanskena në teatër”.
Sjellim në vëmendje se një nga arsyet e krisjes dhe distancimit të Lelit nga Rama ishte refuzimi i tij për të kandiduar si deputet në zgjedhjet e 25 prillit.
Të dielën Rama mblodhi Asamblenë në Vlorë ku nuk la pa përmendur Lelin me socialistët.
“Për të nuk ka vend, ai vendosi të mos jetë te beteja e radhës, asgjë s’duhet të jetë personale mes këshilltarëve dhe tij, ky është vendim politik. Duhet që këshilltarët të bëjnë detyrën, të bëjnë kontrolle në komisione sikur të ishte një kryetar partie çfarëdo. Do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen, nuk pranon në këtë formë, në do vijojmë betejën.”-u shpreh Rama.
Postimi i Lelit
I kisha kërkuar Këshillit Bashkiak që ta zhvillonim sot mbledhjen e radhës, atë që u pezullua po prej këshillit, megjithëse e planifikuar prej tij, dhe u shty pa rënë dakord, për në datën 30. 06. 2021.
E gjithë kjo, shpalos një situatë jo normale dhe jashtë funksionit të këshillit të bashkisë, megjithatë, për shkak të një axhende të programuar kohë më parë, nuk e kam të mundur të jem pjesë, siç i njoftova!
Do doja të isha i pranishëm, duke i qëndruar të gjitha pikave që kërkohen, siç do doja që kjo mbledhje të ishte zhvilluar më parë, në datën e paracaktuar, për të mos zvarritur jo vetëm nevojat ekonomike të familjeve e fëmijëve në nevojë, por edhe për të proceduar me pompat e ujit që ndërkohë mund të ishin blerë dhe komunitet e Vlorës, Nartës e Zvërnecit, t’iu ishin afruar zgjidhjeve që kërkojnë.
Personalisht, nuk e kam kuptuar ende arsyen e këmbënguljes së vazhdueshme për të krijuar mizanskena në teatër, kur gjithçka ka funksionuar më së miri, siç të gjithë e dini, online.
Forma mund të jetë e rëndësishme për të krijuar karaktere e realitete imagjinare, por në atë që ne bëjmë dhe duam të arrijmë, vendndodhja nuk ka pasur asnjëherë rëndësinë e përmbajtjes!
Sidoqoftë, u përpoqa dhe shpresova se do ta realizonim mbledhjen e sotshme, në pamundësi për ta kryer gjatë ditëve në vazhdim.
Promovimi dhe zhvillimi i Vlorës, bashkë me programet e qeverisë, në të gjitha sferat ku mund të afrohet me zhvillimin e vendeve të rajonit, është programi im i çdo dite. Uroj që të kemi të njëjtin qëllim sepse nuk ka rrugë tjetër për të ndihmuar qytetin!/lajmifundit