Lëngu i domateve është cilësuar si një superfood që nuk duhet të mungojë nga asnjë tryezë shtëpie, pasi është i pasur me vitamina A, K, B1, B2, B3, B5, B6, si dhe me një shumëllojshmëri mineralesh, përfshirë këtu, magnezin, fosforin dhe hekurin.
Të gjitha këto komponime i mbajnë organet tona të shëndetshme dhe lëkurën gjithnjë e më rinore.
Mbron shëndetin e sistemit tretës
Domatet janë të pasura me fibra, të cilat i mbajnë zorrët dhe mëlçinë të shëndetshme. Mëlçia sekreton enzima të ndryshme që shpërbëjnë ushqimin e konsumuar. Në këtë mënyrë, duke pirë lëng domatesh, rigjenerohet vazhdimisht. Njëkohësisht, pengon konstipacionin (kapsllëkun) duke rregulluar lëvizjen e zorrës së trashë.
Ndihmon në humbjen e peshës
Në qoftë se përpiqeni të humbisni peshë, filloni të konsumoni lëng domatesh. E hidraton trupin më shumë se çdo frut apo perime tjetër. Ka përmbajtje të ulët natriumi, pak kalori dhe i jep trupit tuaj një dozë të fortë vlerash ushqyese që rrisin normën metabolike.
Mbron nga kanceri
Konsumi i një gote lëng domatesh plotëson të gjitha nevojat tuaja ditore për marrjen e antioksidantëve të domosdoshëm. Likopeni, karatenoidi që i jep ngjyrën e kuqe domateve, është një nutrient i fuqishëm që lufton radikalet e lira. Radikalet e lira janë molekula që shkatërrojnë qelizat e shëndetshme në brendësi. Kjo aktivizon procesin e oksidimit që çon në mutacion qelizor. Dëmtimi oksidativ lidhet me të gjitha llojet e kancerit, duke përfshirë atë të zorrës së trashë, mushkërive, gjirit etj. Gjithashtu, radikalet e lira shkaktojnë sëmundje kardiovaskulare dhe arteriosklerozë.
Rinon lëkurën
Në qoftë se i përkisni atyre që duan të duken më të rinj nga mosha reale, provoni të pini një gotë lëng domatesh në ditë. Jo vetëm eleminon shenjat e plakjes, por, kontribuon ndjeshëm dhe në zhdukjen graduale të njollave ngjyrë kafe nga lëkura.