I shtrenjti miku im, vendosa të të shkruaj, ndoshta jo se kisha shumëçka për të të thënë, por gjithsesi diçka mbetur e pathënë më shtyu t’u shkruaj para se të më braktisësh.
Ti je i lirë të ikësh, sikundër edhe unë kam atë liri të të them dy gjëra, ndoshta diçka më pak ngase ia lejuam njëri-tjetrit të mbetet e shkruar në epitafin e vetveteve tona.
Ndërsa unë jam ulur dhe po të shkruaj, ti po i jep dorën e fundit një plani për të braktisur vetveten, për të rrokur me gjithë forcën e atij pasioni detyrues, të sotmen, asaj të sotme, e cila më bën me turp, asaj të tashme, të cilën nuk do të ketë pendesë, shëlbim dhe purifikim që të mund të na pastrojë, për të qenë të dlirë siç erdhëm, të jemi atje ku do të shkojmë.
Kohë më parë kishim bërë një pakt, të ishim vetvetja deri në fund, në një të tashme që ngulmon të na ndryshojë, të na tjetërsojë, të na shndërrojë në baltën, ku ajo ngjyhet e përlyhet. Jetuam thjeshtë pa salltanete e miradina, na mungonin shumë gjëra dhe ato që kishim na bënin të ndiheshim mirë. Bisedonim për artin, për letërsinë, bisedonim për shumë gjëra të vyera në kafet e periferisë, thurnim ndonjë ëndërr idilike dhe visheshim me rrobe të përdorura. Ndiheshim kaq mirë në atë vetvete që guxonte të ishte vetëm vetja jonë.
Në një kënd të realitetit, përpiqeshim të pranonim fatin që na kishte zgjedhur, fatin që kishim nënshkruar ne me vullnet të lirë. Nuk u krahasuam me askënd veç vetes dhe askush s’pati kohë të krahasohej me ne, për më tepër të mund të gjente diçka të vyer aty ku ne mbruheshim, përpiqeshim dhe përpusheshim gjithnjë për mbijetesë.
Fati i trishtë i fatkeqit, miku im, është i shkruar në damkën e shëmtuar të turpit, turpit që krekoset në madhështinë e neveritshme të pushtetit;
… Pushtetit të asaj përmendoreje shtatlartë degradimi, që shpërfaq atë hir që ia gërryejnë jargavitjet, poshtërsia dhe pështirosje;
… Pushtetit të parasë, arrogancës, prepotencës dhe mospërfilljes së atyre krijesave bajate e hijerënda që kapardisën në makina të shtrenjta, në foltore përmjerrjesh politike, në përralloren e një ëndrre të ndezur në mijëra jetë fatshuara;
… Atij pushteti që kolovitet dhe shakadahet si një shtazë e vetkënaqur nën vezullimin verbues të një realeje surreale, një të tashme himnizuar nga narcizi që e stis nëpër ëndrra paranojash dhe e ndërton; me mundin, djersën dhe eshtrat e asaj krijese mjerane që quhet sovran dhe që zvarritet “paturpësisht” në udhën ku këto megalloman dhe agoist të sëmur parakalojnë si në një sfilatë mburrjesh dhe kapardisjesh rivaliteti.
Për mjeranin dhe fatkeqin, të përulurin dhe adhuruesin, skllavin e pretendimeve të tyre, që i ngjajnë një oreksi të babëzitur… ata, po ata miku im, ata, dishepulli i të cilëve ke vendosur të bëhesh, mendojnë si për një krijesë që nuk meriton as mëshirë.
Kazanët e plehrave nuk janë vetëm një cikël fundor i konsumit, por një fillues i të mundshmes për të sfiduar varfërinë, atë skamje dhe neveri që e fabrikuan ata, atë tragjizëm migjenian që lindi jo nga pamundësia dhe pameritimi, por pangopësia që ndërsen gjithnjë e më keqaz orekset e tyre.
Nuk e di nëse e ke vënë re miku im?
Megjithatë, tani ata që lypin janë më pak se ata që flasin me vete rrugëve.
Sapo filluam të mësoheshim me fytyrat e ndritshme të njerëzve, me shprehinë e vitalitetit, realiteti na ka risjellë atë njeriun me një portret të tendosur nga nervat, të ngrysur, të errur dhe të përzhitur nga kequshqyerja dhe e mundimshmja, jetë që u rëndon mbi supe dhe në shpirt.
Përtej fasadës, një tjetër panoramë rreket të shfaqet, si për të të përmendur në këtë lojë përjetimesh reale dhe përfytyrimesh që ndizen dhe shuhen përpara ekraneve të TV-ve, këtyre frëngjive prej nga pushteti qëllon papushim me breshëri propagandistike, i manipulon, i gënjen, i fyen, i poshtëron dhe… e merr me të mirë si kasapi prenë, kur don ta qetësojë para se ta vrasë.
Ti vërtetë nuk je ai krimineli vrasës gjakftohtë dhe ai i çmenduri, që pasi ka vendosur të ikë nga kjo botë, kërkon ta bëjë rrugën pa kthim me disa fatkeq, që për shtetin janë statistikë dhe për median mundësi përfitimi. Sigurisht që ti, nuk je as ai trafikanti që shfrytëzon varfërinë e njerëzve të thjeshtë për të bërë para, para me të cilat blen shtetin dhe ndërton pushtetin e frikshëm të krimit.
Unë i besoj bindjes sime, se tek ti nuk qëndron ai njeriu i pashpirt që fatkeqësinë e njerëzve e shndërron në një mundësi përfitimi, por për sa kohë që ai njeriu ka nisur të zërë vend brenda teje, prirem të besoj se do të jetë po ai që do të shëmbëllejë më shumë njeriun e urryer, se sa atë mikun tim, atë që tek idealizmat nuk shikonte hijen e arratisur të një fatkeqi, por atë vetvete të dhënë me mish e me shpirt për të qenë dhe mbetur i mirë.
Miku im, sot, unë nuk dua të besoj te ndonjë pendesë apo mëdyshje, që ti të ndërrosh mëndje. Udha që ke nisur ka kohë që ka zënë vend në dëshirimet tuaja, të cilat ose kanë nisur të vrasin brenda teje heroin, ose kanë vendosur të zhveshin maskën që kaq mjeshtërisht paska mbajtur të fshehur brenda teje atë njeriun që denoncuam, por që sot është tërësisht vetja jote e justifikuar nga koherenca.
Lamtumirë miku im!
Më fal nëse të kam penguar kohë më parë të ishe vetvetja, të mund të bëje më shumë dhe t’i përkisje dikujt tjetër. Të siguroj se nëse e kam bërë, e kam bërë pa qëllim të keq, e kam bërë se kam pasur nevojë për ty, por më shumë kam parë tek ti nevojën të ishe si unë.
Sot, gjithçka i përket të shkuarës, asaj që do të më bëjë të vuaj nga braktisja, zemërthyerja dhe shpresëhumbja, por jo nevoja të mbeteshim përgjithmonë viktima të njëri-tjetrit për hir të miqësisë dhe idealizmave që i thurëm me kaq përkushtim dhe ishim gati t’i jepeshim me më të lartën vetvete vetmohuese.
Ik, ik pa e kthyer kokën pas!/albert vataj