Policia e Shtetit
Kontrolle të pandërprera në të gjithë vendin, për zbatimin e masave anticovid.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve, kanë ndëshkuar me masë administrative, 692 qytetarë dhe 9 administratorë lokalesh, pasi nuk i respektuan këto masa.
Masë administrative edhe për 27 qytetarë dhe 2 subjekte që nuk zbatuan masat kufizuese pas orës 22:00.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 692 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 9 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë. Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 8 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara për zbatimin e masave kufizuese, kanë konstatuar 2 lokale ku ushtrohej aktiviteti pas orës 22:00. Secili nga subjektet shërbimet është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu, pas orës 22:00 janë konstatuar edhe 27 qytetarë që lëviznin në rrugë pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.
Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër i bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat anticovid dhe të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00.