Ligji i ri, ja si mund të merrni pasaportën italiane

Dhoma e Deputetëve miratoi ligjin e ri për shtetësinë. 

Tani ligji duhet të kalojë në Senat për miratimin përfundimtar, prandaj rrugëtimi parlamentar – duhet ta theksojmë – ende nuk ka mbaruar.

Vitin e kaluar, siç është shpjeguar diku tjetër, kanë marrë shtetësinë italiane 21.148 shqiptarë, praktikisht duke ndjekur ligjin në fuqi. Shkurtimisht, si mund të bëhesh shtetas italian sipas ligjit aktual?

Mund të bëhesh duke ndjekur katër rrugë. Nëpërmjet ius sanguinis, martesës me një qytetar/e italian/e, ius soli dhe natyralizimit. Në rastin e parë mund të marrësh shtetësinë italiane po pate në pemën tënde gjenealogjike ndonjë italian. Si të thuash, mjafton të gjesh një stërgjysh, apo më larg, dhe mund të bësh kërkesën për shtetësi. Kjo vlen edhe kur personi nuk njeh asnjë fjalë italisht dhe nuk ka shkuar kurrë në Itali. E drejta e gjakut, pra.

Edhe marrja e shtetësisë nëpërmjet martesës, pra kur bashkëshorti është italian, ka në thelb të drejtën e parë, sepse merr parasysh lidhjen familjare që krijohet. Në këtë rast duhen dy vjet martesë kur banojnë në Itali dhe tre vjet kur janë jashtë shtetit. Gjatë kohës së praktikës martesa nuk duhet të zgjidhet, pra bashkëshortët nuk duhet të ndahen ose të divorcohen, madje duhet të jetojnë së bashku (të rezultojnë në certifikatë familjare).

Në rastin e ius soli, u takon vetëm atyre që janë lindur në Itali nga qytetarë të huaj. Kjo kategori njerëzish mund ta kërkojë shtetësinë vetëm në moshë madhore, por duhet të vërtetojë se prindërit kanë jetuar pa ndërprerje dhe rregullisht në Itali. Problemi është se duhet ta kërkojnë shtetësinë brenda një viti pasi mbushin 18 vjeç e ndodh shpesh që një pjese e tyre harrojnë ta bëjnë ose nuk kanë informacionin e duhur. Rreziku i këtij grupi qëndron pas moshës 19 vjeç kur gjenden praktikisht në mëshirë të lejeqëndrimit. Në rast se nuk e sigurojnë në një mënyrë ose një tjetër rrezikojnë dëbimin nga Italia, që është vendi i tyre, ku janë lindur dhe janë rritur. Kam njohur një herë personalisht një vajzë tuniziane me banim në Sicili, që rrezikonte dëbimin për në Tunizi, ku nuk i kishte mbetur asnjë i afërm. Madje edhe arabishten nuk e fliste mirë. E ku ta dëbonin? Në dhé “të huaj”?

Së fundi është natyralizimi. Për ta marrë shtetësinë me këtë mënyrë duhet të certifikosh se ke rezidencë në Itali prej 10 vitesh. Natyrisht, duhet të kesh edhe lejeqëndrim të rregullt. Vitet janë të gjata, pa dyshim, por ata që jetojnë në Itali e dinë se praktika pas paraqitjes së kërkesës zgjat edhe pesë vjet. Praktikisht duhen 15 vjet për ta marrë shtetësinë për natyralizim.

Po ligji i ri, që kaloi nga Dhoma e Deputetëve, çfarë parashikon? Ekspertët e quajnë ius soli temperato (e drejta e vendit e zbutur), që me fjalë më të thjeshta do të thotë se kemi të bëjmë gjithnjë me kategorinë e ius soli, por janë lehtësuar më shumë kriteret e marrjes së shtetësisë, sepse merren parasysh lidhjet me territorin. Në të vërtetë, ndërhyn edhe e ashtuquajtura ius culturae (e drejta e kulturës), ngaqë merren parasysh edhe lidhjet e personit me formimin shkollor në Itali.

Ligji i ri u drejtohet kryesisht fëmijëve që janë lindur në Itali dhe kanë ardhur në vend para se të mbushin moshën 12 vjeç.

Kanë të drejtë ta marrin shtetësinë fëmijët që kanë lindur në Itali, por duhet të vërtetojnë se njëri nga prindërit ka pasur lejeqëndrim afatgjatë dhe duhet të ekzistojë deklarata e vullnetit të njërit nga prindërit që duhet shënuar në certifikatën e lindjes. Në këtë mënyrë ligji mundohet të shmangë mundësinë që njerëzit të vinë në Itali vetëm në periudhën e lindjes dhe pastaj të kërkojnë shtetësinë. Nga ana tjetër, edhe në rast se prindi nuk ka dashur që ta shprehë vullnetin për shtetësinë, personi mund të kërkojë kur mbush moshën madhore.

Për ata që nuk kanë lindur në Itali, por kanë ardhur në këtë vend para se të mbushin 12 vjeç, funksionon ius culturae. Personi që hyn në këtë tipologji duhet të ketë ndjekur pesë vjet në arsimin shkollor italian. Kur bëhet fjalë për shkollë fillore, nënkuptohet përfundimi i saj.

Edhe të huajt që kanë hyrë në Itali pa mbushur moshën 18 vjeç mund ta marrin shtetësinë, por duhet të kenë jetuar rregullisht për 6 vjet në Itali e të ketë ndjekur një cikël shkollor e të ketë marrë përfundimin pozitiv.

Këto janë pikat kryesore të ligjit të ri italian (që nuk është akoma në fuqi). Nuk përmendëm disa aspekte dytësore që kanë të bëjnë me taksën e pagesës për praktikën, detyrimet e zyrës së gjendjes civile, regjistrimi i të porsalindurve, interpretimet ligjore, etj.

Edhe pse ligji i ri u shpjegua më sipër në mënyrë të përmbledhur, nuk është vështirë të dallohet se kemi të bëjmë me ecje përpara, po ta krahasojmë me ngurtësinë e madhe të ligjit aktual. Pra ligji i ri duhet të përshëndetet pozitivisht, madje duhet të inkurajohen forcat politike italiane që ta çojnë deri në fund miratimin e tij.

Deri tani nuk ka parashikime të përpikta për përfundimin e iter-it parlamentar, por dëshira është që të mbarojë sa më shpejt, edhe pse ngjarjet e fundit të terrorizmit, që nuk kanë aspak lidhje me ligjin në fjalë, e kanë rritur temperaturën e konfrontimit të palëve, çka mund të ndikojë negativisht mbi ecurinë e tij.

Loading...