Këngëtaret e asaj kohe jo gjithmonë i kishin mundësitë për t’u veshur bukur, edhe pse ishin katalogët e vetëm që kopjoheshin pas çdo festivali e koncerti.
Por Liljana Kondakçi, përveçse ndër më të bukurat, ka qenë edhe ndër më të veshurat bukur.
Nuk kishte modë në Shqipëri, po duket sikur ajo ka shfletuar Vogue dhe ka veshur krijime revistash evropiane.
Është një nga artistet shqiptare me disa talente. Si këngëtare ajo ka realizuar mjaft këngë dhe bashkëpunime të suksesshme, madje është shpallur dhe fituese e Festivalit të 18 të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Në secilën performancë skene ajo ka ardhur gjithnjë e më ndryshe në veshje.
Njëherë e kemi parë me temina, ose siç na pëlqen t`u themi, me trendin e diskos. Ka zgjedhur shpesh nuanca pastel, fustane me jakë të ngritur, por ajo që më ra në sy më tepër ishte përplasja e printeve të ndryshme në një veshje. Paksa e pa parë për kohën, sepse shumica e veshjeve kombinoheshin thjesht, me ndonjë nga tonet e tokës, ose të zezë.
Teminat, xixat dhe shkëlqimi kanë qenë detajet e preferuara për eventet më të veçanta të vitit, sidomos rreth viteve `80-`90 u bënë kryefjalë. Liljana e ka kombinuar me fund të zi dhe geta të zeza me rastin e festivalit, që t`ju them të drejtën duket këndshëm.
Madje mund të vishet ende edhe sot sepse pikërisht trendi vërtitet rreth atyre viteve.
Përveç këngëve ajo ka qënë pjesë e filmit “Udhëtim në pranverë”, ku ka luajtur rolin e Valbonës përkrah Minella Borovës, Spiro Stratit, Aishe Mullait etj.
Ka disa veshje në këtë film të cilat kanë qenë frymëzim për kohën, një ndër to është pikërisht ky fustani pastel rozë me prerje kove.
Meqë fustanin rozë e zgjodhi ta vishte kur doli në skenë, në “street style” shfaqet e veshur me nuanca më dominante siç është dhe blu cerulean. Duke qënë brune e theksuar, me flokë të errëta ngjyrat i nxjerrin në pah fytyrën dhe sytë.
Veshja që përmenda më herët me printe të përziera është pikërisht kjo, këmishë dhe fund të dyja në prerje mbas trupi. Po të vishej sot do i shtonim dhe një rrip rreth belit. Gjithsesi ka mjaft guxim në përzgjedhjen e ngjyrave dhe dizajnit.
S`kishte si të mungonte dhe floral printi, ose dizajni i luleve në gardërobën e filmit. Sidomos për vendin ku xhirohet dhe natyrën përreth, një fustan ose këmishë me lule ngelet një must.
Ngjyra e kuqe me pak volum tek mëngët dhe jakë “V” ka qënë preferenca e kohës për shumë zonja dhe zonjusha. Madje me një gjatësi tek gjuri, paksa i lirshëm në përmasë, kombinohej me këpucë të kuqe ose të zeza.
Ka qënë një periudhë kur flokët dhe makeup-i ishin gjithnjë kështu. Me një ndarje në mes, pak balluke, vetulla të holla dhe të harkuara fort si dhe buzë të konturuara me laps të kaftë.
E mbaj mend shumë mirë këtë pjesë sepse i shihja dhe më habiste konturi. Flokët i krihnin shpesh që të merrnin sa më shumë volum, por veshjen e mbanin të thjeshtë. Edhe pse nuk flitej nëpër revista për balancat, proporcionet dhe ngjyrat dukej sikur çdo gjë vinte natyrshëm. Liljana, përveç talenteve të tjera duket se dhe në modë ka patur një shqisë të veçantë./Tiranapost.al