Kishin lindur në të njëjtën ditë, më 18 Nëntor.
Por Giuseppe ishte i datëlindjes së 1995-s, ndërsa Juendi i 1998-s. Fati i keq deshi që të humbin jetën gjithashtu në të njëjtin moment: Rreth orës 18:40, të dielën e 10 Marsit.
Përplasja e ndodhur në rrugën Adriatica në Pesaro të Italisë ishte fatale për dy shokët, 20-vjeçarin Juendi Xhani, me origjinë nga Durrësi dhe 23-vjeçarin italian Giuseppe Troisi.
Rreth dy ditë pas ngjarjes tragjike që tronditi mbarë komunitetin ku ata jetonin, mediat italiane kanë përcjellë detaje të reja për dy të rinjtë, të cilët udhëtonin me një Audi A4, kur u përplasën me një makinë tjetër.
‘Janë gjallë rastësisht’, shkruajnë mediat fqinje.
Fatmirësisht dy binjakët 8-vjeçar dhe familjari i tyre 71-vjeçar, që ndodheshin në makinën tjetër janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Sa i përket viktimave të këtij aksidenti tragjik, ata mësohet se të dy ishin të ulur në sediljen e djathtë të Audit. Giuseppe në timon, ndërsa Juendi në sediljen e pasme, po në të djathtë.
Mbetet e paqartë nëse kishin të vendosur rripat e sigurimit, por përplasja ishte kaq e fortë sa ata mbetën të bllokuar brenda në makinë. U desh ndërhyrja e zjarrfikëses për të nxjerrë trupat e tyre të pajetë.
Vajzat që ndodheshin në automjet, të dyja nga Pesaro, u dërguan me urgjencë në spital dhe në pak minuta ishin në reanimacion.
Gjendja e tyre konsiderohet kritike, megjithatë mjekët kanë besim se do të mund të jetojnë. Ato ndodhen aktualisht në koma farmakologjike.