Ministri Sandër Lleshaj ka folur për grabitjen në Rinas, ndërsa ka sqaruar edhe se pse informacioni i parë për vrasjen e njërit prej grabitësve, Admir Murataj, erdhi nga Greqia.
Në një intervistë për emisionin “Repolitix”, Lleshaj u shpreh se policia hezitoi të bënte publike edhe faktet më ordinere, pasi sipas tij, çdo fakt që jepet në publik është një paralajmërim për dikë tjetër që është në kërkim.
Sander-Lleshaj-ministri
“Policia shqiptare heziton të bëjë publik edhe fakte ordinere sidomos në momentet e para, se çdo fakt që jepet në publik është një paralajmërim për dikë tjetër që është në kërkim. Krijimi i një lloj mjegulle informacioni i shërben hetimit. Vendimi i policisë për të mos e ekspozuar menjëherë, ka qenë i dobishëm.
Ka qenë sulm i sinkronizuar në nivelin e sekondave, në kohë shumë të shkurtër, pak a shumë 5 minuta ka zgjatur grabitja, dhe 5 minuta ka zgjatur edhe arratia derisa grabitësit janë strukur në një tunel, ndërkohë që diku tjetër për të larguar vëmendjen e policisë i është vënë flaka diku më tej një furgoni të ngjashëm me grabitjen“, tha Lleshaj.
“Unë kam notën maksimale për policinë e shtetit në këtë rast. Çfarëdo sulmi mund të kërkohet në këtë rast, duhet kërkuar diku tjetër, por jo tek policia, ka vepruar në mënyrën më të mirë të mundshme. Jam besimplotë që ngjarja do të zbardhet, arrestimi dhe rikuperimi i parave është një proces që…nuk mund të them gjë, se paratë mund të jenë djegur, po spekuloj, por nuk mund të bëj parashikime. Provat e mbledhura e bëjnë suksesin real“, pohoi ministri i Punëve të Brendshme.