Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nga foltorja e Kuvendit, shigjetoi ish-Kryeministrin Sali Berisha, lidhur me grabitjen e 9 prillit në aeroportin e Rinasit.
Lleshaj tha se pak ditë pas një sulmi i cili u finalizua me një grabitje të madhe policia arriti të zbardhë, dokumentojë dhe provojë një vepër shumë të rëndë kriminale, e cila ka tronditur një pjesë të madhe ekonominë e vendit.
“Ajo që nuk kuptohet është se edhe në këto kushte vazhdon një sulm i habitshëm i cili kryesohet nga Haxhi Mileti, pasi ai zotëria ka hequr dorë nga të thirrurit në emër të njerëzve, ndaj po e quaj kështu. Sulmi ndaj policisë është përpjekje për të intimiduar procesin hetimor, duke bërë avokatinë e një prej bandave më të rrezikshme, një bandë e cila ka arritur të krijojë problematika të mëdha në disa vende. Banda ka sulmuar me armë, ka grabitur, ka lidhje të dokumentuara me celula të rrezikshme terroriste”, u shpreh Lleshaj.
Ai e cilësoi si një situatë të pazakontë dhe të papranueshme, ndërkohë që inkurajoi policinë të vijojë hetimet, duke përmendur vlerësimin e bërë ndaj uniformave blu nga ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Leyla Moses-Ones.
Grabitja e thasëve me para ndodhi pak para orës 15.00 të 9 prillit, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me pesë persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.
Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që është dhënë alarmi për grabitjen, ata kanë hasur në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me te cilët ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Një prej grabitësve Admir Murataj, gjatë të shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë me një plumb në kokë.
Deri tani arrestuar për grabitjen pesë persona të dyshuar, Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Oltian Veseli, Saimir Çela dhe Elton Pikli.