Llogoraja me qendër të re për vizitorët

Një investim i jashtëzakonshëm i punës së palodhur të stafit të zonave të mbrojtura në Vlorë, falë zbatimit të projektit të financuar nga Bashkimi Europian, do ta shndërrojnë Parkun Kombëtar të Llogorasë në një atraksion turistik që shfrytëzohet në të 365 ditët e vitit.

“E bëmë jo pa qëllim inaugurimin e kësaj qendre, në dimër, pasi do donim të falënderonim punën e palodhur të ambientalistëve të kësaj zone, që nuk janë vetëm të inkuadruar në zonat zonat e mbrojtura, por janë pjesë edhe të universitetit të Vlorës, për të dhënë një ide të qartë se çfarë është potenciali i Llogorasë edhe në periudhën e dimrit. Ne po punojmë shumë që në kuadër të plotësimit të masave për 365 ditë turizëm në Shqipëri të promovojmë bukuri të tilla si kjo e Llogorasë”, tha ministri Klosi, gjatë inaugurimit të qendrës së re të vizitorëve në Llogora.

I pranishëm ne ceremoninë e inaugurimit të kësaj qendre të re ishte edhe ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, i cili theksoi rëndësinë e promovimit të turizmit, duke mbrojtur mjedisin dhe promovuar biodiversitetin.

“Mbrojtja e parqeve dhe e këtij parku në veçanti është shumë e rëndësishme dhe këtu dua të falënderoj edhe ata që ruajnë parkun sepse ai duhet mbrojtur nga të gjitha rreziqet e mundshme. Siç e di edhe ministri, viti 2019 është shumë i rëndësishëm për turizëm. Së bashku ne do të lançojmë së shpejti një projekt shumë të rëndësishëm për turizmin, me rreth 40 milion euro, që do të vihet në zbatim nga banka europiane për rindërtim dhe zhvillim dhe synimi i tij është promovimi i turizmit, por i turizmit të qëndrueshëm”, u shpreh ambasadori Soreca.

Ministri foli edhe për rëndësinë e fushatës që ka nisur në bashkëpunim me ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për të skanuar të gjitha lejet e dhëna për HEC-et, që dëmtojnë zonat e mbrojtura.

“Shpreh bindjen që së bashku me ambasadorin ne do të jemi në një përpjekje të përbashkët nëpërmjet institucioneve shqiptare, por edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që natyra të jetë e para që ne të shikojmë në Shqipëri një turizëm të zhvilluar ku baza të jenë pasuritë natyrore”, u shpreh ministri Klosi.

Parku Kombëtar i Llogorasë ka rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor.

Ai ka potencial të madh për zhvillimin e eko-turizmit, sportet e ajrit, ekskursionet dhe udhëtimet. Ky është një vend klimatik, sepse këtu përzihen të dyja klimat, malore dhe detare e freskët. Për tifozët sportivë ky park ofron mundësi akomodimi në hotele luksi.

Mjedisi pyjor në Llogora, shtrihet në një sipërfaqe prej 1500 hektarësh, por vetëm 1080 prej tye janë përfshirë në territorin e Parkut Kombëtar, që mbrohet me ligj të veçantë. Mes pemëve, dominojnë pisha e zezë dhe bredhi./atsh

Loading...