Ish-deputeti i LSI-së Luan Rama, ka sulmuar kryeministrin Edi Rama për shpërdorim detyre në rrethin e Vlorës, ku Rama është edhe deputet.
Përmes një statusi në “Facebook” ish deputeti shkruan se hipoteka, kadastra dhe pylli i sodës janë gjurmët e shpërdorimit kriminal që kryeministri ka lënë në Vlorë.
Postimi i ish-deputetit të LSI-së Luan Rama:
VLORA SI DËSHMI E SHPËRDORIMIT PREJ PUSHTETIT TË EDI RAMËS
Shembulli më i pashembullt e modeli më përfaqësues i shëmtisë së qeverisjes në gjithë përmasën e vet reale të korrupsionit dhe të vjedhjes, të abuzimit dhe të shpërdorimit kriminal në të gjithë qarkun e Vlorës, është zyra e hipotekës apo ajo që sot quhet kadastra.
Që prej kur Edi Rama u bë kryeministër dhe, edhe deputet i Vlorës, janë emëruar, dorëhequr dhe shkarkuar rreth njëzetë drejtorë të hipotekës, si pasojë e një realiteti korruptiv dhe kriminal në trajtimin dhe administrimin e pronave, kryesisht në bregdet.
Mirëpo hipoteka, përkatësisht kadastra, nuk është gjurma e vetme e shpërdorimit kriminal që pushteti i Edi Ramës ka lënë në Vlorë.
Pylli i sodës dhe e gjithë zona prej plazhit të vjetër në Zvërnec në rreth 6 kilometër vijë bregdetare, është degraduar, shkatërruar e vjedhur e po përgatitet të ndahet për oligarkët e kryeministrit njësoj siç është ndarë edhe hapsira e bregdetit prej Palasës e më poshtë në Jug.
Por, mbi çdo gjë tjetër, Edi Rama është edhe gënjeshtari më i madh që është tallur me Vlorën me të gjithë cinizmin e vet, që prej premtimit se do t’i siguronte ujë të pijshëm 24 orë në ditë, e me rradhë në morinë e pafund të mashtimeve, si ai me aeroportin që do të duhej të përurohej në këto ditë të fundvitit 2020 e deri tek largimi i shumë shërbimeve e zyrave si ato të arsimit, energjisë elektrike etj. të cilat qytetarët e Vlorës duhet të shkojnë t’i gjejnë në Fier!
Ndaj, zgjedhjet e 25 prillit nuk janë vetëm një mundësi që qytetarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe shansi që të vlonjatët të shpëtojnë një herë e mirë prej shushunjave të pushtetit në të gjitha nivelet e qeverisjes në Vlorë dhe zgjedhës korruptive të Edi Ramës, portretin e të cilit e gjejmë të plotë në vargjet e Ali Asllanit:
“Shitet vendi për para,
Me para e për para,
Bëhet burri telendi,
Dy para një maskara,
Para hasmit lepe – peqe,
Para zërit te atdheut,
Hundë e tyre shtate sqepe!”