Partia Demokratike reagoi sot ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për çështjen e Agim Kajmakut.
Prokuroria tha se ende nuk janë marrë shenjat e gishtërinjve të kryebashkiakut të Vorës, pasi postieri nuk e ka dërguar letrën.
Në reagimin e tij, ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi tha se “ Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi se Edi Rama, duke përdorur institucionet është duke penguar hetimin”.
Deklarata e Boçit:
Jorgo Toto, Agim Kajmaku, të cilin Edi Rama ua dërgoi qytetarëve të Vorës si peshqesh të qeverisë së tij të krimit, ka refuzuar të depozitojë shenjat e gishtave, duke konfirmuar kështu se është ai personi i arrestuar në Greqi nën akuzën e trafikimit të parave të falsifikuara.
Prokuroria, duke u fshehur pas procedurave, po ndërton një mburojë (mbrojtje) për të inkriminuarin e radhës.
Në njoftimin zyrtar, organi i akuzës pranoi publikisht se ka dështuar të marrë shenjat e gishtave të personit të akuzuar Agim Kajmaku dhe për këtë dështim paraqet si shkak ngatërresën e adresës nga Zyra e Postës (!!).
Një justifikim banal dhe padyshim i turpshëm, pasi askush nuk e beson se Posta nuk e ka gjetur dot zyrën e kryetarit të bashkisë në Vorë. Prandaj, e gjitha kjo është thjesht një përpjekje e dëshpëruar për të mbrojtur të inkriminuarin e radhës së Edi Ramës.
Edi Rama duke u fshehur pas postierit të Vorës po bën gjithçka për të shpëtuar Jorgo Kajmakun
Duke refuzuar të japë shenjat e gishtërinjve të kandidatit të tij dhe duke përdorur prokurorinë, postierin e Vorës dhe duke heshtur përballë fakteve të publikuara nga PD, Edi Rama tashmë është zbuluar publikisht mbrojtësi i trafikantit të parave të falsifikuara, i arrestuar në Janinë dhe më pas i arratisur prej drejtësisë greke.
Edhe prokuroria, njësoj si kryeministri që fshihet pas omerta-së, u fsheh sot pas procedurave, duke u bërë vegla qorre e kryeministrit në mbrojtje të Kajmakut.
Edi Rama është njësoj si Jorgo Toto. Ai është vetë Agim Kajmaku.
I kërkuari nga drejtësia greke është vetëm fytyra e të inkriminuarit të radhës me të cilën Rama u shfaqet shqiptarëve.
Edi Rama hesht dhe e mbron, sepse ai nuk qeveris dot pa modelin kriminal që përfaqëson njeriu të cilin Rama ua ka servirur për kryebashkiak qytetarëve të Vorës.
Jorgo Kajmaku vazhdon të mbajë padrejtësisht zyrën e bashkisë, ndërkohë që bashkë me Valdrinin, Pjerinin, Vangjushin, Eltonin, Elvisin duhet të ishin duke ndarë sëbashku qelinë e burgut.
Por megjithë provat e pakundërshtueshme që faktojnë inkriminimin e Jorgo Totos alias Agim Kajmaku, Edi Rama nuk e lëshon mollën e kalbur të radhës.
Ai e mban fort shportën e kriminelëve me të cilët ka grabitur votat e shqiptarëve, po grabit Shqipërinë dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Edi Rama e di se duke lëshuar Kajmakun, i afrohet radha për të dhënë vetë llogari për inkriminimin që i bëri qeverisë, parlamentit, shtetit dhe jetës së shqiptarëve.
Provat janë aty, në dritën e diellit.
Agim Kajmaku duhet të jetë në burg, jo në zyrën e bashkisë së Vorës.
Krimi nuk mund të qëndrojë asnjë minutë ulur në karrigen e kryeqytetarit të Vorës dhe të asnjë bashkie të vendit.
Edi Rama duhet dhe do të ikë sëbashku me shportën e tij të krimit me të cilët po grabit pasurinë dhe jetën e shqiptarëve.