Kjo zarzavate është tipike e stinës së dimrit, e gjejmë deri në fillim të pranverës.
Me lulelakrën mund të bëjmë disa receta si pjata të para apo garnitura për të shoqëruar pjata me mish a peshk.
Ne kemi sjellë një recetë të thjeshtë e të shpejtë.
Përbërësit për Lulelakër e skuqur me vezë
Përbërësit për 4-5 persona
1 kg lulelakër e bardhë
3-4 vezë
2-3 lugë djathë të grirë
pak kripë
pak piper
pak vaj
Përgatitja
Marrim lulelakrën dhe e pastrojmë nga gjethet, e kalojmë në ujë të rrjedhshëm. Më pas e ndajmë në tufa dhe e vendosim të ziejë në një tenxhere me avull ose në një tenxhere me ujë me kripë. I lemë të ziejnë përreth 15 minuta. Në një pjatë rrahim vezët, i hedhim pak djathë të grirë e piper dhe i përziejmë mirë.
Pasi lulelakra është zier, e marrim dhe degët e saj i kalojmë në vezë dhe më pas i skuqim në tigan me vaj të nxehtë. Këtë pjatë mund ta servirim si garniturë për një pjatë mishi të pjekur. Sipas dëshirës, mund ti shtojmë pak lëng limoni sipër lulelakrës së skuqur.