Lulzim Basha: Do sigurojmë vende pune me paga të larta

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka përmbyllur vizitën e tij në qytetin e Kukësit me një takim me të rinj të këtij qyteti. E kthyer tashmë në një fenomen negativ në të gjithë vendin, papunësia dhe mungesa e mundësive për të ardhmen, ishte kryefjala e të rinjve kuksian në shqetësimet që i ngritën Bashës.

“Jam studente që kam mbaruar bachelorin për shkenca politike dhe aktualisht jam në master shkencor për marrëdhënie ndërkombëtare. Më vjen keq në fakt që shikoj që çdo ditë e më tepër rinia jonë, brezi ynë po largohet jashtë shtetit për një të ardhme më të mirë. Edhe unë aktualisht po mësoj gjuhën gjermane me këtë synim, që të largohem pasi e ndjej që e ardhmja ime nuk do i përkas këtij vendi. Nuk besoj se do kem një punë të sigurt që nesër pasnesër të mos largohem. Madje do të thoja që një rast më i freskët, ndodhi dje në familjen time ku vëllai la punë për arsye se donte të emigronte. Edhe shumë shpejt do largohet. Ai e kuptoi që me një rrogë 200 mijë lekë në muaj, nuk besoj se do ketë të ardhme si për veten, si për të mbajtur familjen e vet, edhe për ne.” – u shpreh Ana Cenaj.

“Sapo mbarova studimet mendova qё nё Kukës nuk mund tё kthehem pasi e gjithё shoqëria ime ka emigruar dhe e vendosa pёr t’u punësuar nё Tiranë. Dhe arsyeja mё shumë qё mё shtyu pёr tё emigruar ishin çmimet e larta dhe rrogat e ulëta dhe qiratë e shtëpive qё ishin mjaft tё larta se sa merrnim rrugёn aq paguanim qiranë dhe neve pёr shembull si çifte tё rinj qё jemi qё duam tё ndërtojmë tё ardhmen tonё nё Shqipëri mendojmë pёr tё blerë njё apartament dhe pёr tё ndërtuar jetën këtu , pasi nuk mendojmë tё largohemi.” – tha Armir Braho.

Ervin Geraj, një biznesmen i ri që ka investuar në këtë qytet, thotë se është në kushtet e mbijetesës. Ai shprehu mbështetjen e tij për programin e Partisë Demokratike si nevojën urgjente që duhet të implementohet.

“Unë jam një biznesmen i ri, veproj në fushën e pjesëve të këmbimit dhe servisit të makinave. Kam 3 vite që kam hapur biznesin dhe të them të drejtën jemi në kushtet e mbijetesë. Kam investuar pothuajse 100 mijë euro, edhe këtë investim mund ta bëja fare mirë në Tiranë edhe madje më kanë kërkuar që mund ta bëja edhe jashtë shtetit, por kam vendosur ta bëjë në Kukës, sepse jam i lidhur edhe me familjen por edhe shpirtërisht me këtë qytet. Ajo që doja të thoja unë, nuk është pyetje sepse e kam parë fare mirë programin tuaj, e kam ndjekur vazhdimisht, i kam ndjekur intervistat tuaja dhe premtimet që keni bërë ju jo vetëm për Kukësin por për të gjithë Shqipërinë. Janë të shkëlqyeshme të themi.

Unë do të kërkoja ty, personalisht, bashkë me drejtuesin politik zotin Hoxha, që të bëni përpjekjet maksimale që ai program, të cilin keni dy vite që po merreni, edhe është gati për t’u implementuar, të fillojë direkt pas fitimit të zgjedhjeve.” – tha Ervin Geraj

Duke qenë koshient për situatën e të rinjve shqiptarë, Basha i shpjegoi atyre planin e Partisë Demokratike për mënyrën se si do të mbështeten të rinjtë, sipërmarrjet, si dhe familjet e reja. Ai gjithashtu tha se me planin ekonomik që parashikon uljen e taksave, uljen e çmimit të naftës dhe të energjisë dhe thithja e investimeve të huaja do të rindez e ekonominë shqiptare që do të mundësoj vende të reja pune dhe paga më të mira.

“Unë e kuptoj që me 200 mijë lekë rrogë, nuk jetohet. Nuk jetohet! Dhe dikush që thotë që unë kam 200 mijë lekë rrogë, më mirë iki, futem në borxh, futem në kamion dhe shkoj në Angli.

Dhe ndryshimi në radhë të parë për mua do të thotë mirëqenie, rritja e pagës minimale kjo qё the. Paga minimale prej 360 mijë lekësh apo 300 eurosh, por qё nuk do tё vij me dekret as me deklarata para fushate do tё vij me njё plan tё mirё, dhe ne kёtё plan e kemi, kemi ekspertët pёr ta zbatuar atё, kemi vendosmërinë pёr ta zbatuar atё.

Sipërmarrja rinore, në veçanti, do të ketë masa të diskriminimit pozitiv pa dëmtuar konkurrencën, se ju e dini, një ekonomi që të ecë përpara duhet të ketë konkurrencë, duhet të ketë kushte të barabarta por diskriminim pozitiv në kuptimin për t’ju hequr ato vështirësi shtesë që ka një i ri apo një e re, që do të nisë një biznes.

Megjithatë, në tërësi paketa jonë e ndihmës për biznesin, besojmë, jemi të bindur se do t’ju lërë në xhepat tuaj miliona që sot shteti jua merr dhe ju nuk e dini se ku i çon.

Krijimi i një familje të re është një gëzim, është një lumturi e pa përsëritshme për vet çiftin, për prindërit, për të afërmit e tyre.

Dy janë arsyet kryesore pse po plaket Shqipëria, largimi i të rinjve dhe rënie e çifteve të reja dhe e lindshmërisë. Ndaj, ndër politikat tona kryesore për ta ndalur këtë plakje të Shqipërisë, këtë tkurrje, këtë zvogëlim të Shqipërisë, janë pikërisht mbështetja e çifteve të reja, si për strehimin ashtu edhe për fëmijët e porsalindur.

Duke filluar nga viti ynë i parë i qeverisjes, ne do të financojmë 100% interesat e kredive bankare për çiftet e reja që blejnë një banesë në mënyrë që të themelojnë familjen e tyre, që do të thotë se deri në fund të mandatit tonë të parë, në fund të 4-vjeçarit, 20 mijë çifte të reja do të kenë mundësinë të blejnë banesat e tyre me një kredi që e marrin në bankë ku interesi shlyhet 100% nga fondet që qeveria do vërë në dispozicion dhe natyrisht kjo është një ndihmë shumë e madhe. Është një ndihmë e madhe në kuptimin e prekshëm të fjalës, të mundesh të blesh një banesë, një apartament në një qytet apo në një zonë ku ke dhe punësimin por është edhe psikologjike.

Ndihma e dytë që do të japim është që për çdo fëmijë të porsalindur, deri sa të bëhet 5 vjeç do të ketë një bonus prej 30 mijë lekë të vjetra në muaj. Sigurisht, nuk është një mrekulli por është në përputhje me mundësitë që ka Shqipëria dhe nuk është një ndihmë e vogël, shkon të paktën për të përballuar shpenzimet që vijnë, shpenzimet ekstra që vijnë me lindjen e një fëmije dhe me një rritjen e një fëmije deri në moshën 5-vjeçare. Plani ynë për arsimin, tekstet shkollore falas.

Plani i mbështetjes së studentëve me pagesën e tarifave për të gjithë ata që vijë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë në muaj. Futja e konceptit të trajnimit dual në institucionet e arsimit të lartë që gjysmën e kohës ta kaloni me praktikë.
I gjithë plani ynë ekonomik me uljen e taksave me çmimin e naftës dhe të energjisë dhe thithja e investimeve të huaja dhe rindezja e ekonomisë shqiptare, rindezja e ekonomisë së brendshme do t’i shërbejnë pikërisht këtij qëllimi, krijimit të vendeve të punës dhe ne kemi përllogaritur këto masa brenda katër viteve të para do të arrijmë të krijojmë diku midis 100-110 mijë vende të reja pune kryesisht për të rinjtë. Pra ndihmë për familjen, ndihmë për prindërit e rinj, për strehimin, për fëmijët. Pra për ti dhënë fund tkurrjes së popullsisë dhe mbi të gjitha një plan konkret për të avancuar me zhvillimin ekonomik të vendit.

3 miliardë euro investime gjermane në Maqedoni, 40 mijë vende të reja pune vetëm për të rinjtë në Serbi kjo është arsyeja. Se për çdo të ri që largohet nga Serbia largohen 12 nga Shqipëria se këtu nuk i keni këto e pra po ju them dhe diferenca e vetme është një qeveri që kujdeset për ju apo një qeveri që nuk i bëhet vonë për ju. Këtë të fundit e kemi patur për tetë vite me radhë.

Me 25 prill është dita t’i tregojmë derën. Votoni për partinë demokratike, votoni për numrin 9, votoni për ndryshimin dhe kur flas për ndryshimin, flas për ndryshimin e jetës suaj, familjeve tuaja dhe të gjithë Shqipërisë!” – tha Basha.

Loading...