Kreu i opozitës, Lulzim Basha ishte në Fier ku zhvilloi një takim me qytetarët atje.
Basha ka sulmuar hapjen e negociatave me BE-në duke thënë se me këtë gjendje nuk e meriton që Shqipëria të hapë negociatat.
Basha u tha qytetarëve se “Ramën e kanë njoftuar se Këshilli Evropian në qershor do votojë për mos hapjen e negociatave” dhe se sipas tij ky “është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi Ramën dhe qeverinë e tij antievropiane”.
Deklarata e plotë:
Ramën e kanë njoftuar se Këshilli Evropian në qershor do votojë për mos hapjen e negociatave. Rama është fajtori i vetëm për këtë ndëshkim
Gjendjen në Shqipëri e dinë të gjithë qytetarët, të djathtë e të majtë, e dinë edhe në Bruksel.
Edhe ata që bëjnë sikur nuk i dinë. I di edhe Edi Rama. Partnerët tanë ndërkombëtarë ja kanë bërë të qartë atij, sic kanë informuar edhe kryetarin e opozitës, se në gjendjen aktuale, Këshilli Evropian i qershorit do të votojë për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë.
Dhe ky është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi ramën dhe qeverinë e tij antievropiane.
Edi Rama e ka frikë hapjen e negociatave sepse e di fare mirë se çka ndodhur në ato vende ku janë hapur negociatat. Se të parët që kanë shkuar para drejtësisë kanë qenë pushtetarët që kanë abuzuar me pushtetin.
Zgjidhja është e thjeshtë nëse Edi Rama një herë në jetën e tij, një çast në jetën e tij, do të vendoste interesin tuaj, për interesin e vendit, interesin e qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi, jo të oligarkëve jo të banditëve, jo të vetës dhe pushtetit të tij, jo të pasurisë së tij, por interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Zgjidhja është e thjeshtë: largimi i tij i hapë rrugë zgjidhjes politike, një qeverie të integrimit europian që do të mundësojë zbatimin e kushteve që Edi Rama dhe banda e tij, nuk i zbatojnë, sepse janë në konflikt interesi me to.
Zgjedhje të lira e të ndershme, dënimin e politikanëve të kapur me krimin në shitblerje votash.
Nuk ka vend që i hapen negociatat në BE pa zgjedhje të lira. Nuk ka vend në BE që i hapen negociatat me shitblerje votash me krimin.
Largimi i Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë rruga jonë drejt Bashkimit Europian