Kreu i PD-së Lulzim Basha është shprehur ditën e sotme se po vazhdon procesi i hapjes dhe demokratizimit të partisë.
Duke folur për gazetarët, Basha u shpreh se PD-ja do të zgjedhë kandidatët për deputetë me procesin ‘një anëtar një votë’.
Gjithashtu ai u pyet edhe në lidhje me propozimin e bërë nga partitë e ‘Qendrës së Djathtë’, që janë në koalicion me PD-në për një tryezë me presidentin.
Basha është shprehur se kusht i panegociueshëm për të hyrë në zgjedhje është largimi i Edi Ramës nga kryeministër.
Nga deklarata e kryetarit të PD, Lulzim Basha, për mediat, sot:
Z. Basha, aleatët tuaj kanë paraqitur sot një platformë me disa pika dhe një tryezë edhe me zotin Rama si kryetar i PS. Si e gjykoni?
Nuk ka asnjë mospërputhje midis qëndrimeve të PD-së dhe gjithë koalicionit tonë.
PD ka përfunduar javën e kaluar një dokument të detajuar sa i përket detyrave të qeverisë tranzitore në raport me zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe do ta paraqesë atë në ditët në vijim në mënyrë publike.
E kemi diskutuar edhe me aleatët tanë.
Një pjesë e mirë e pikave që aleatët kanë shpalosur sot janë edhe pikat e programit tonë, pra ka një përputhje totale ndaj të jeni të sigurt se koalicioni opozitar po vepron me bashkëpunim, mirëkuptim dhe sinergji të plotë për të ecur përpara.
Çështjet e tjera janë detaje të parëndësishme sepse kryesorja është kjo: Zotimi i të gjithë koalicionit opozitar, që është sot mazhoranca e re, politike, numerike dhe morale në vend, është regjistrimi në zgjedhje dhe pjesëmarrja në zgjedhje vetëm kur të ketë me të vërtetë zgjedhje, jo një tjetër farsë kriminale.
Kusht i padiskutueshëm për këtë mbetet largimi i Edi Ramës nga qeveria dhe një qeveri tranzitore, e cila do të plotësojë kushtet për të cilat do të keni më shumë informacion në ditët në vijim.